Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

LDK feston fitoren në Prishtinë me fishekzjarre e tupana

 
   

Qytetarët e kryeqytetit rikonfirmuan edhe njëherë fitoren e tyre, pasi kjo është fitore e të gjithë Kosovës. Kështu ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjatë festimit në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, pas rikonfirmimit si fitues nga Përparim Rama.

Abdixhiku tha se Rama do të jetë kryetari edhe i atyre që nuk e kanë votuar sepse sipas tij, “jemi shumë pak për t’u ndarë e përçarë”.

Abdixhiku: Është fitore e gjithë Kosovës

“Dua t’i falënderoj në veçanti të 47 mijë votuesit e Prishtinës që rikonfirmuan edhe njëherë fitoren tonë. Fitorja e sotme nuk është vetëm fitore e LDK-së, është fitore e gjithë Kosovës, e shpresës e rilindjes së madhe kombëtare dhe me këtë fitore dua të them se nuk ka humbës fare, Përparim Rama është kryetari i secilit qytetarë të Prishtinës edhe atyre që na kanë votuar edhe atyre që nuk na kanë votuar. Jemi shumë pak për t’u ndarë e përçarë”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku falënderoi votuesit e Lidhjes Demokratike në shtatë komunat ku kanë fituar.

Në festën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, kandidati Përparim Rama tha se “Prishtina tregoi që nuk do bllokim”.

Rama: Sot është fitore e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit

“Sot është fitore e të gjithë qytetarëve të kryeqytet, sot është fitore e të gjithë Kosovës. Prishtina tregoi që dëshiron zhvillim, Prishtina tregoi që nuk do bllokim. Shkojmë përpara drejt së djathtës së zhvillimit, i themi jo sabotimit….E filluam katër vite më parë me projekte të mëdha për transformim të kryeqytetit të zemrës, sepse Prishtina nuk është vend i vogël, Prishtinën tash po e bëjmë metropol së bashku. E filluam me një vizion të qartë, filluam me qindra projekte, shumë prej tyre i kryem, shumë prej tyre janë në proces, e këto katër vitet e ardhshme Prishtina do të lulëzojë, ju premtoj….Me unazën e kryeqytetit, gjithsesi si projekt madhor që do ta shtyjmë përpara, tash jemi edhe nikoqir të Lojërave Mesdhetare 2030, unazën e brendshme po e përfundojmë, rrugën Xhim Xhema po ashtu, 10 shkolla i kemi filluar po i përfundojmë edhe plus pesë tjera, me mësim tërëditor, me transport të ri të Prishtinës po e vazhdojmë transportin metropolitan”, tha Rama.

Ai përmendi kundër kandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosja, Hajrulla Çekun, nga i cili kërkoi reflektim, siç u shpreh Rama, për bashkëpunim.

Rama: Kundër kandidatit i kërkojë reflektim

“I kërkojë edhe kundër kandidatit tim që të reflektojë, që të bashkëpunojë sepse është për të mirën e gjithë fëmijëve dhe fëmijëve të mi. E thërras qeverinë e tashme në detyrë dhe çfarëdo qeverie që do të vie në të ardhmen, që të jetë bashkëpunues me kryeqytetin, sepse kryeqyteti është motori ekonomik i zhvillimit të të gjithë Kosovës. Kryeqyteti është zhvillimi i artit të Kosovës, kryeqyteti është zemra e gjithë Kosovës dhe kombit tonë. prandaj kushdo që vjen në nivel qendror, duhet të jetë bashkëpunues. Dhe unë nuk kam dyshim që edhe nja një muaj e gjysmë do ta kemi Lumirin kryeministër”, shtoi ai.

KQZ ka numëruar gjithsej 268 vendvotime për kryetar të ri të komunës së Prishtinës.

Përparim Rama nga LDK-ja ka fituar me 51.54 për qind ose 46.935 vota, Hajrulla Çeku nga Vetëvendosje ka marrë 48.46 për qind ose 44.126 vota, raporton KosovaPress.

Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, personave me aftësi të kufizuara dhe votimit me postë.