Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Vushtrri, Sylejman Meholli, ka falënderuar qytetarët pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.
Ai vlerësoi kulturën qytetare të votuesve dhe mbështetjen e jashtëzakonshme për listën e tij, duke arritur 12,158 vota, pa numëruar votat e mërgatës dhe ato me kusht.
Meholli njoftoi se Lëvizja VV ka dalë e para në shumë lokalitete dhe falënderoi partnerët e koalicionit, duke theksuar se fitoret e arritura janë rezultat i përkushtimit dhe besimit të qytetarëve.
Ai premtoi se fitorja e VETËVENDOSJE! do të reflektohet në përmirësimin e qeverisjes në Vushtrri gjatë katër viteve të ardhshme.
Postimi në Facebook:
Faleminderit dhe urime Vushtrri!
Të dashur qytetarë të Komunës së Vushtrrisë!
Mbrëmë kemi mbyllur zgjedhjet lokale të vitit 2025, një fushatë maratonike me shumë punë e angazhim! Dua të shpreh urimin tim për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë, duke vlerësuar lartë kulturën qytetare që kanë treguar gjatë këtij procesi dhe rezultatin të cilin e respektoj dhe uroj që të ketë sa më shumë mirëqenie e zhvillim!
Sot, dua t’i falënderoj nga zemra e shpirti mijëra aktivistë, mbështetës, qytetarë, vendas e familjarë që dhanë çdo atom të energjisë gjatë kësaj gare bashkë me listën tonë për Kuvendin Komunal – bashkë kemi thyer çdo rekord të rezultateve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri për sa i takon zgjedhjeve lokale. Jemi hyrë për herë të parë në balotazh dhe kemi arritur numrin rekord të votave edhe për Kuvendin Komunal.
12.158 vota, pa u numëruar votat e mërgatës dhe ato me kusht, janë besimi e nderimi më i lartë që Vushtrria më ka dhënë ndonjëherë. Faleminderit nga zemra për vlerësimin kaq të lartë. Mirënjohës pa fund! ❤️
Gara ishte e pabarabartë, u bë presion nga pushteti aktual ndaj shërbyesve publikë, qytetarëve e bizneseve, pati shumë dyshime për blerje votash, pati dhe shpifje të ulëta të cilat për herë të parë në jetën time më detyruan të shkoj në Gjykatë për të paditur dikë dhe do t’a ndjek deri në instancën e fundit të sistemit të drejtësisë.
E kam thënë nga fillimi: më krenar jam të humbas me dinjitet sesa të fitoj me pazare deri në antikombëtare siç i kemi parë. Të fitosh 96% të votave të Listës Serbe në Prelluzhë dhe të bashkëpunosh me ta – subjektin që vrau Afrim Bunjakun dhe lufton Republikën e Kosovës, siç ka bërë Ferit Idrizi – kjo nuk do koment më tepër.
Në rundin e dytë nuk ishim vetëm, bëmë koalicionin me LDK-në, Dega në Vushtrri, të cilët dua t’i falënderoj po ashtu nga zemra për bashkëpunimin dhe mbështetjen. Më vjen keq për rrethanat që ju krijuan si nga lart ashtu edhe nga poshtë, me grupe të caktuara të cilat janë në shërbim të PDK-së dhe bashkimi ynë u prishte pazaret e jo idealet e partisë.
Kemi dalë të parët dhe kemi fituar në rundin e parë në Akrashticë, në Pantinë, në Mërgatë dhe në votat me kusht!
Kemi dalë të parët dhe kemi fituar në rundin e dytë në Akrashticë, në Pantinë, në Shtitaricë, në Druar, në Reznik, në Dobellugë, në Banjëskë, në Pestovë dhe në Nadakoc. Sigurisht që presim fitore prapë edhe në Mërgatë. Prandaj, një falënderim i veçantë për lokalitetet që na bënë fitues. Mirënjohës për jetë për vullnetin e tyre të hekurt për fitore e ndryshim.
Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri do të vijë në zgjedhjet e radhës, sepse tashmë veç i kemi vendosur themelet e forta nga ku ngrihet fitorja e qytetarëve të lirë. Vushtrria do ta kuptojë në 4 vitet e ardhshme çfarë ka zgjedhur, si do të qeveriset dhe çfarë ka humbur si mundësi qeverisjeje. Do ta shohim dallimin në cilësinë e qeverisjes me Mitrovicën, sepse e kemi afër. Pastaj do të krahasojmë me vepra, projekte, fakte, pa inate e ngarkesa.
Edhe një herë për fund: FALEMINDERIT TË GJITHËVE! ❤️
Vushtrri, tu gëzoftë zemra gjithmonë!
Me respekt e falenderim,
Dr. Sylejman Meholli

