Kreu i Institutit Octopus Agim Musliu ka reaguar ndaj heshtjes së Listës Serbe, parti kjo e afërt me Beogradin e regjimit të Aleksandar Vuçiq, pas plagosjes dhe rrëmbimit të serbit Milan Vukashinoviq tetë ditë më parë në territorin e Kosovës.
Milan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe dhe njerëz të Milan Radoiçiq dhe është dërguar në Serbi. Ai raportohet se është plagosur dhe se është vendosur në trajtim spitalor.
Musliu përkujton se Lista Serbe dhe organizatat joqeveritare serbe, sidomos ato që financohen nga BE, nuk kanë reaguar ende për këtë akt kriminal dhe nuk kanë guxim të kërkojnë hetim publik e transparent, raporton KosovaPress.
“Lista Serbe, një subjekt politik që pretendon që përfaqëson interesat e serbëve lokalë në Kosovë hesht para një krimi kaq mizor ndaj një serbi të Kosovës. A i bie që kushdo që nuk është në vijë me Listën Serbe, Milan Radoiçiq apo me komandën politike të Vuçiq bëhet ‘spiun’ brenda natës? Lista Serbe apo OJQ serbe s’kanë asgjë për të thënë për këtë?”

