Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar në rrjetin social Facebook lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për përsëritjen e votimit në komunën e Mitrovicës.
Ajo ka shkruar në Facebook se, sipas konfirmimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), gabimi teknik me numrin serik në fletëvotime është paraqitur si në Mitrovicë ashtu edhe në Gjakovë, por PDK po kërkon përsëritjen e zgjedhjeve vetëm për Mitrovicën.
Deputetja e Vetëvendosjes ka shtuar se kjo kërkesë e PDK-së nuk ka të bëjë me mbrojtjen e demokracisë apo të vullnetit të qytetarëve, por me përpjekjen për të ruajtur pushtetin në Mitrovicë.
Postim i plotë:
Nëse kemi konfirmim nga Komisioni Qendror Zgjedhor se gabimi teknik me numrin serik në fletëvotime është paraqitur në Mitrovicë dhe në Gjakovë, pse me kaq ngulm PDK kërkon përsëritjen e votimit vetëm për Mitrovicën?
Pse nuk e kërkojnë edhe për Gjakovën, nëse sipas tyre është në pyetje “mbrojtja e votës së lirë”?
Nuk e kërkojnë për Gjakovën sepse qëllimin nuk e kanë te demokracia dhe vullneti i qytetarëve, por te mundësia e tretë për ta mbajt Mitrovicën. Nuk po pajtohen që dy raunde të votimit dhe dy raunde të exit poll-it i humbën atje, prandaj po e kërkojnë me ngulm të tretin.
Kjo kërkesë e tyre nuk bazohet në parimin e demokracisë, por në mundësinë për ta deviju atë.
Mundësi për zgjedhje të reja lokale ka, pas katër viteve.

