Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim Shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity.
Gjatë takimit, ata diskutuan mbi procesin e integrimit evropian të Kosovës.
“Bislimi theksoi rëndësinë e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjeve për Planin e Rritjes, me qëllim krijimin e kushteve për lirimin e fondeve të destinuara për Kosovën, duke kujtuar se Kosova ishte vendi i parë që ka miratuar agjendën e reformave”,thuhet në njoftim.
Ai po ashtu ngriti çështjen e heqjes së plotë të masave ndaj Kosovës, duke theksuar se “tashmë nuk ekziston asnjë kusht i paplotësuar nga ana e shtetit tonë”.
Shefi i Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity, po qëndron në vendin tonë ndërsa do të marrë pjesë edhe në takimin e radhës të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

