Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar dëshminë dëshmitari Michael Durkee në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Michael Durkee i cili është dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes, deklaroi se ka dijeni se gjenerali Mike Jackson ka dhënë deklarata në gusht të 1999-ës ku është shprehur se ishte i shqetësuar se udhëheqja e UÇK-së nuk kishe kontroll mbi personat e caktuar në UÇK.
Ai tha se disa nga komandantët e zonave nuk e pranonin Marrëveshjen e Demilitarizimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ne e dinim se disa komandantë të zonave nuk e pranonin Marrëveshjen e Demobilizimit. Ata mendonin që ishin elementët që do të udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë dhe se kishin qenë pjesë të fushëbetejave dhe nuk donin të hiqnin dorë lehtë nga roli i tyre thjesht se ua kërkonte komuniteti ndërkombëtar. Mbaj mend që ne jemi mbështetur te fakti që gjatë negociatave për këtë Marrëveshjen e Demobilizimit, komandantët e zonave u konsultuan paraprakisht- të paktën një grup prej tyre ishin të gatshëm ta pranonin dhe respektonin marrëveshjen. Kur u kthyen në shtëpitë e tyre, konstatuan se shumë prej luftëtarëve ishin të pakënaqur me vendimin e tyre dhe pati trysni të brendshme, fraksione të brendshme. Disa ishin bashkëpunues por disa të tjerë nuk ishin”, tha Durkee.
Seanca e radhës në këtë rast gjyqësor do të mbahet të hënën duke filluar nga ora 12:00 (me 45 minuta vonesë në transmetim) në të cilën do të dëshmojë Gjenerali Wesley Clark.
Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në këtë rast gjyqësor.

