Ish-kryediplomati dhe kandidati për kryetar të PDK-së Enver Hoxhaj, i ka bërë ftesë të hapur publike për Bedri Hamzës, kandidatit tjetër për kryetar të PDK-së që të përballen në debat televiziv qysh javën e ardhshme.
“Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan. E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë, javën e ardhshme. Hajde, të vendosim një standard të ri,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të trajtohet si proces i vogël, por duhet të trajtohet si ngjarje e madhe politike që ka rëndësi për gjithë Kosovën, sepse sipas tij, e tillë është.
“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së nuk duhet të jetë ngjarje e vogël, duhet të jetë ngjarje e madhe. Është garë e madhe politike në interes të Kosovës,” ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se synon që ky proces të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të shënojë mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri për vendin në vitin 2026.
Ai ka shtuar se një PDK e fortë u shërben edhe të paraburgosurve në Hagë.
“Në pranverë, dua që ata ta shohin një PDK e cila është e fortë,” ka deklaruar Hoxhaj, duke përmendur Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, të premten mbrëma deklaroi se ai është ‘’i vendosur’’ që të garojë për kryetar të PDK-së, duke shtuar se duhet të prezantohet edhe platforma për të ardhmen e kësaj partie.
Zhvillimet politike dhe kriza në vend, janë arsyet pse Enver Hoxhaj po garon për të parin e PDK-së, duke qenë pjesë e kësaj partie që nga themelimi.
Gjatë intervistës në Rubikon, Hoxhaj ka thënë se po të ishte në krye të PDK-së, Kosova nuk do të kishte krizë.
“Po të kisha qenë në krye të PDK-së, bashkë me opozitën, sot do të kishim pasur një Kosovë pa krizë, pa ngërç”, tha Hoxhaj.
Kritikat e Enver Hoxhajt, ishin edhe ndaj organizimit të Konventës për zgjedhjen e kryetarit të PDK-së e cila pritet të mbahet të hënën, pasi sipas tij, po lejohet që të mos ketë garë dhe po mbështetet një preferencë e një rrethi të ngushtë që sipas tij përbëhet nga 4-5 persona, në parti.
“Kushdo që garon në PDK, mos ta ketë vetëm mbështetjen e një grupi të ngushtë të PDK-së, të 4-5 njerëzve.”
Hoxhaj tha se konventa e thirrur është improvizim.
“Procesi nuk është serioz dhe nuk ka proces as politik as demokratik. Konventa, në formën se si është menduar të mbahet, është një improvizim, skenë, intrigë politike e cila në fakt tregon se ish-kryetari i PDK-së do të duhej ta përgatisë procesin dhe ta pjekë debatin politik, të merren vendime se kur mund të mbahet konventa e PDK-së, a ka kandidatë të tjerë që mund të garojnë për postin e kryetarit”, ka thënë Hoxhaj.
Ai theksoi se partia ka nevojë për hapje dhe përfaqësim më të gjerë.
Ai theksoi se dikush që synon ta udhëheqë Kosovën dhe të ketë raport serioz me Evropën e SHBA-në, përfshirë administratën Trump, nuk mund të jetë i paaftë të komunikojë me partitë politike brenda vendit.
“Nëse dikush pretendon ta udhëheqë vendin, të mbajë raport me botën, me Evropën e me Trump, dhe të mos jesh në gjendje të bësh dialog me partitë politike në vendin tënd, të mos jesh në gjendje të bësh kompromis për ta zgjidhur krizën dhe të mos vijmë në këtë situatë.”

