Një adoleshent palestinez u vra dhe një tjetër u plagos të dielën në mëngjes gjatë një bastisjeje ushtarake izraelite në kampin e refugjatëve Askar në lindje të Nablusit, në Bregun Perëndimor verior, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa.
Ameed Hassan, drejtor i ambulancës dhe shërbimeve të emergjencës në Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze në Nablus, tha se dy të rinj u plagosën gjatë përleshjeve me forcat izraelite në kamp.
Njëri u qëllua në gjoks me municion të vërtetë dhe vdiq nga plagët e marra, ndërsa tjetri u qëllua në shpinë dhe u transferua në spital, shkruan Anadolu.
Forca të mëdha izraelite kishin sulmuar Nablusin nga disa drejtime, duke shkaktuar konfrontime në kampin Askar, gjatë të cilave ushtarët hapën zjarr të vërtetë ndaj banorëve.
Ushtria izraelite bastisi gjithashtu lagjet Ras al-Ain, Al-Basha dhe Qytetin e Vjetër dhe rrethinat e tyre.
Ndrkohë, kolonë të armatosur izraelitë sulmuan katër qytetarë palestinezë të shtunën në mbrëmje pranë qytetit Beitunia, në perëndim të Ramallahut.
Al Jazeera ka raportuar se sulmuesit ndoqën automjetin e palestinezëve në një zonë malore pranë Beit Urit dhe vendndodhja e viktimave mbetet e panjohur.
Kolonët e paligjshëm izraelitë vandalizuan poashtu katër automjete palestineze duke ua thyer xhamat dhe duke ua prerë gomat në qytetin Sinjel, në veri të Ramallahut, në Bregun Perëndimor qendror, thanë autoritetet lokale.
Sipas vlerësimeve palestineze, rreth 770,000 kolonë të paligjshëm jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, të shpërndarë në më shumë se 180 vendbanime dhe 256 postblloqe.
Sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm janë përshkallëzuar në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga lufta në Gaza në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 1.070 palestinezë dhe duke plagosur 10.700 të tjerë, treguan shifrat palestineze.
Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.
عاجل | استشهاد الشاب “حسن شركسي” برصاص قوات الاحتلال أثناء اقتحام مخيم عسكر القديم شرق مدينه نابلس. pic.twitter.com/8J7dS9C4Mb
— شبكة قدس الإخبارية (@qudsn) November 15, 2025

