Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët me temën “Sfidat dhe përmirësimi i funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim”, ku diskutoi arritjet dhe sfidat e institucioneve në mbështetjen e komuniteteve joshumicë.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, kryeministri theksoi se mbështetja për komunitetet joshumicë ka qenë një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes.
“Gjatë qeverisjes më shumë se katërvjeçare, ndërtimi i politikave që lehtësojnë jetën dhe qasjen e komuniteteve joshumicë ka qenë lart në prioritetet tona”, u shpreh Kurti.
Ai kujtoi se gjatë mandatit janë mbajtur nëntë takime me zyrtarët komunalë për komunitete dhe kthim, dhe se kjo tryezë shërben si një moment reflektimi për punën e bërë dhe përvojat e ndara me komunitetet.
“Kjo tryezë është moment për të parë pas dhe për të shqyrtuar atë që kemi arritur si qeveri në këtë mandat”, tha ai.
Duke folur për rezultatet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Kurti theksoi se ministri Nenad Rashiq dhe ekipi i tij kanë kontribuar në dhënie të granteve dhe mbështetje konkrete për komunitetet.
“Janë ndarë grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe OJQ, duke financuar mbi 400 projekte me vlerë 1.4 milionë euro”, deklaroi ai.
“Mbi 170 shtëpi janë ndërtuar ose rinovuar për të siguruar kthim të qëndrueshëm, si dhe janë ndërtuar 34 apartamente për familje që kanë jetuar në qendra kolektive”, shtoi kryeministri.
Ai nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin me komunat dhe projektet infrastrukturore të realizuara.
“Ministria ka realizuar 14 projekte infrastrukturore dhe ka rritur subvencionet për pajisje efiçiente, ndërsa përmes programit ‘Kosova Generation Unlimited’ janë nxitur mundësi punësimi në komunat me shumicë joshumicë”, tha Kurti.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe mbështetjen për të rinjtë dhe zhvillimin ekonomik lokal.
“Në kuadër të projektit ‘Komunat për të rinjtë’, kemi përkrahur 3,000 të rinj në zhvillimin e aftësive, ndërkaq në komunat veriore janë regjistruar 819 biznese të reja”, theksoi ai.
“Për infrastrukturë kemi ndarë 3.9 milionë euro për rrugë në vendbanimet e komuniteteve joshumicë”, shtoi kryeministri.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me komunitetet.
“Komunitetet janë pjesë e jona, pjesë e shoqërisë, dhe duhet ta bëjmë maksimumin që secili të ndihet i integruar, të ketë kushte për të kontribuar dhe të lërë gjurmë në zhvillimin e shtetit tonë të përbashkët. Qeverinë do ta keni përherë përkrah kudo, siç e keni pasur edhe në këto katër vite”, përfundoi ai.
Tryeza u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

