Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Presidentja Osmani me kërkesë të veçantë për Gjermaninë

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Sipas Osmanit, në vetëm këtë formë edhe procesi i dialogut Kosovë–Serbi do të jetë i balancuar dhe i drejtë. E para e vendit, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, theksoi nevojën edhe të shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Osmani në konferencë për media së bashku me diplomatin evropian tha se procesi i integrimit evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bazohet në merita.

Kjo është kërkesa e Osmanit karshi Gjermanisë

“Heqja sa më parë dhe sa më shpejt e masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës të cilat janë në fuqi nga viti 2023 dhe ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve tanë është një urgjencë e domosdoshme. Për më tepër shpresojmë që aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të procedohet në Komisionin Evropian me qëllim që edhe vendit tonë t’i hapet rruga drejt anëtarësimit final. Në të gjitha këto procese besojmë se roli i Gjermanisë është vendimtar. Ne jemi 100 për qind të harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së dhe shpresojmë që kjo do të reflektohet edhe në trajtimin e drejtë të Kosovës. Ne pajtohemi plotësisht se rruga drejt BE-së duhet të jetë rrugë e bazuar në merita. Meritat janë e tëra që ne kërkojmë të reflektohet në procesin përpara”, theksoi ajo.

Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Osmani tha se aktualisht tavolina e dialogut nuk është e barabartë, pasi Kosova është nën masa, kurse Serbia, përkundër agresionit ndaj Kosovës, nuk ka masa ndaj tyre.

Ajo theksoi se nëse dialogu është i balancuar, Kosova do të jetë palë konstruktive në këtë proces.

Osmani: Tavolina e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e balancuar

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë, por edhe ndaj një dialogu të barabartë dhe të drejtë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Përderisa Kosova mbetet nën masa të vet BE-së, as dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të konsiderohet i balancuar, parimor dhe i barabartë… 18:40. Procesi i dialogut duhet të jetë i balancuar, i drejtë dhe i barabartë. Për momentin, siç e dini, tavolina nuk është e drejtë, pasi në njërën anë e keni Kosovën që është nën masa dhe në anën tjetër është Serbia e cila, përkundër akteve të agresionit ndaj Kosovës dhe se nuk e ka politikën e jashtme të linjëzuar me BE-në, fatkeqësisht nuk ka ndonjë masë ndaj tyre. Nëse dëshirojmë që dialogu të ketë sukses, duhet të jetë një proces i balancuar dhe i barabartë. Nga Kosova ju siguroj se mund të prisni konstruktivitet të plotë dhe bashkëpunim me ju dhe gjithnjë edhe kontribut vetëm për paqe dhe stabilitet”, potencoi ajo.

Në anën tjetër, Osmani foli edhe për nevojën për zgjatjen e buxhetit deri në mars të vitit 2026, nëse nuk votohet qeveria Konjufca.

Ajo tha se nëse s’ka votim të qeverisë Konjufca, do t’i ftojë në takim partitë politike për të diskutuar për këtë çështje.

Pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca u mandatua për kryeministër nga presidentja Vjosa Osmani. Konjufca ka afat që deri më 19 nëntor të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit dhe ta prezantojë kabinetin qeveritar për të kërkuar votëbesimin e deputetëve.

Osmani: Do të diskutojë me partitë politike mundësitë për zgjatje buxhetore

“Unë nuk mund të paragjykoj se çfarë do të ndodhë nesër në seancë. Por në rast se nuk ka sukses, atëherë është e domosdoshme që të flasim për miratimin e zgjatjeve buxhetore pasi duhet të sigurohemi që qytetarët tanë, jo dhjetëra mijëra shërbyes civilë, por shumë shërbime të tjera të shtetit të mos bllokohen. Një situatë e tillë nuk i ka ndodhur Kosovës askund, andaj do të ishte një situatë kritike. Po flasim për nevojat bazike të qytetarëve tanë që mund të bllokoheshin nëse s’kemi zgjatje buxhetore deri në fund të muajit mars. Natyrisht, është temë që do të diskutojë me partitë në rast se ndodh ajo”, përfundoi ajo.

Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë hapa konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023, tha ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul. Ai gjatë vizitës në Kosovë të martën theksoi nevojën e formimit të qeverisë së re në Kosovë, derisa shtoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një urgjencë gjeopolitike.

Përkitazi me këtë, diplomati gjerman pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se Kosova për shumë kënd në rajon është simbol i demokracisë.