Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sot mbahen dy seanca në Kuvend

 
   

Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë edhe çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca. Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.

Seanca e parë pritet të fillojë në orën 11:00, ndërsa e dyta për votimin e qeverisë në ora 14:00.

Në seancën e parë, përveç pikës për RTK-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Rendi i plotë i ditës është si vijon:

Formimi i komisioneve parlamentare:

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Kompas” – forcimi gjithëpërfshirës i sistemit të shëndetësisë;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026;

Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok;

Çështja e financimit të RTK-së;

Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas thirrjes së dy seancave për të mërkurën. Kjo parti thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet për disa komuna e për RTK-në.

Po ashtu Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar  për RTK se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë të Kuvendit.

Edhe NISMA Socialdemokrate njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të thirrur në orën 11:00. Ky subjekt politik ka thënë se seanca është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike

Në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca.

Kujtojmë se Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, u mandatua për formimin e qeverisë nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor. Ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor. Megjithatë paritë që kanë mbetur pas LVV-së në zgjedhje, kanë deklaruar se nuk  e mbështesin këtë qeveri, por preferojnë zgjedhjet e reja.