Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Prodi: Kur punohet së bashku, migracioni i paligjshëm mund të bie ndjeshëm

 
   

Zgjerohet pjesëmarrja në Task-Forcën e Përbashkët për Migracionin mes Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Kosovës, pasi nga sot pjesë e saj janë edhe dy vendet e tjera të rajonit – Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar të jetë një partner i besueshëm për partnerët ndërkombëtarë, raporton KosovaPress.

Ai tha se rezultatet e deritanishme tregojnë se kur punohet së bashku, migracioni i paligjshëm, rrjetet kriminale dhe trafiku ndërkufitar mund të frenohen në mënyrë të ndjeshme.

“Prania juaj sot këtu është më shumë se protokoll, është një mundësi reale për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal. Ne jemi të gatshëm të ndajmë modelet tona operative, të ofrojmë eksperiencën e Task-Forcës sonë dhe të ndërtojmë mekanizma të përbashkët për parandalim, verifikim dhe goditje të krimit ndërkufitar. Qasja jonë është e thjeshtë: më shumë shkëmbim informacioni, verifikime më të shpejta, operacione të sinkronizuara, standarde të unifikuara, përdorim i teknologjive moderne”, tha Prodi.

Task-Forca e Përbashkët për Migracionin është një front operacional i konsoliduar kundër fenomeneve shqetësuese të kohës, lëvizjeve migratore ilegale dhe qarkullimit të aseteve të krimit.