Kondensimi i krijuar në sipërfaqen e xhamit, përveç se e dëmton pamjen e shtëpisë, mund të çojë edhe në lagështi dhe formim të mykut, sidomos në dhomat ku ajrosja është e kufizuar
Nëse çdo mëngjes ju gjeni dritaret e mbuluara me avull dhe pika të vogla uji në fund të xhamave, mos u shqetësoni, nuk jeni të vetmit. Ky është një fenomen natyror që ndodh kur ajri i ngrohtë dhe i lagësht brenda shtëpisë bie në kontakt me sipërfaqen e ftohtë të xhamit. Temperatura e ajrit bie nën “pikën e vesës”, dhe lagështia kthehet në ujë.
Por, me një truk të thjeshtë shtëpiak, mund ta shmangni këtë problem pa shpenzime dhe pa lodhje.
Ekspertët e mirëmbajtjes së shtëpisë pohojnë se zgjidhja është më e thjeshtë nga sa mendojmë. Thjesht vendosni disa pika detergjenti për enë në një pëlhurë flanel ose mikrofibër, dhe fërkoni xhamat me të.
Detergjenti krijon një shtresë të hollë mbrojtëse që pengon grumbullimin e pikave të ujit dhe, si rezultat, parandalon mjegullimin e xhamit dhe formimin e kondensimit. Ky truk është bërë viral në rrjete sociale, pasi funksionon menjëherë dhe zgjat për disa ditë.
Ky efekt ndodh sepse detergjenti përmban surfaktantë, substanca që ulin tensionin sipërfaqësor të ujit, duke bërë që pikat të mos qëndrojnë në formë sferike, por të shpërndahen si një film i hollë që nuk duket me sy.

