Në Pallatin e Brigadave ka nisur punimet samiti Plani i rritjes “Rruga jonë drejt BE” ku marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos.
Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e hapjes në këtë samit se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka provuar asnjëherë reforma që kanë këtë shkallë transformimi me 490 mln euro të lëvruara që përfshijnë të gjitha fushat. Rama u shpreh se rajoni po kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës.![]()
Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk po lutet që të hyjë në BE por po dëshmon çdo ditë se e meriton të jetë pjesë e unionit.
“Rajoni nuk ka provuar asnjëherë reforma në këtë shkallë në kuadër të planit të rritjes, janë 490 mln euro të lëvruara që prekin financat publike, energjinë dhe të gjitha fushat, e mbyllim me reforma që janë transformuese. Ndërtimi i arterieve të Evropës në korridorin 8 që është kritike edhe për sigurinë në Evropë dhe është kthyer në korridor sigurie për NATO. Është një rajon që kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës. Evropa është diçka që po e ndërtojmë, Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere, gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë. Ne nuk po lutemi të hyjmë në BE, po provojmë çdo ditë se jemi gati”, tha Rama./euronews.al/

