Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar jetën dhe veprën e ish-anëtarit të kryesisë dhe veprimtarit të LDK-së, Xhavit Ahmeti në 29-vjetorin e vdekjes së tij.
Abdixhiku thotë se emri i Ahmetit mbetet i gdhendur në arsimin e Kosovës, si njëri nga organizatorët e sistemit të arsimit të pavarur.
Tutje, ai tha se kujtimi për Ahmetin do të jetë përhershëm.
“Sot më 21 nëntor, kujtojmë dhe nderojmë veprimtarin e LDK-së Xhavit Ahmetin, në 29 vjetorin e vdekjes së tij. Xhavit Ahmeti rrugëtimin me Lidhjen Demokratike e kishte nisur që nga themelimi i saj, fillimisht si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, e pastaj këshilltar për arsim i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova”.
“Humbi jetën tragjikisht më 21 nëntor të vitit 1996, në një aksident gjatë udhëtimit zyrtar për në Beograd. I përhershëm do të jetë kujtimi, për njeriun i cili pas vete la histori suksesi të paharrueshme në arsim, politikë dhe shkencë. Lavdi jetës dhe veprës së veprimtarit, Xhavit Ahmeti!”, ka shkruar i pari i LDK-së.

