Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Pse melatonina mund të jetë e lidhur me probleme kardiake?

Miliona njerëz mbështeten te melatonina si një mjet natyral dhe i lirë për gjumë, por një studim i ri sugjeron se ky suplement, i cili mund të blihet pa recetë, mund të jetë i lidhur me një rrezik më të lartë për probleme kardiake

Hulumtimi, i paraqitur së fundmi në ses-ionet shkencore të American Heart Association 2025 (ende i parecensuar), zbuloi se përdoruesit e melatoninës kishin përqindje më të larta të insuficiencës kardiake, hospitalizimeve dhe vdekshmërisë krahasuar me ata që nuk e përdornin. Megjithatë, ekspertët theksuan se studimi nuk provon se melatonina shkakton këto probleme të zemrës.


Banner

Për të kuptuar më mirë ndikimin e mundshëm të melatoninës te zemra, studiuesit rekrutuan mbi 130.000 të rritur – 65.414 që kishin marrë melatonin të paktën një vit dhe një numër të njëjtë që nuk e kishin marrë. Gjatë pesë viteve, ata monitoruan shfaqjen e diagnozave të reja të insuficiencës kardiake, shtrimet në spital për insuficiencë dhe vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet, transmeton Telegrafi.

Si ndikon melatonina te zemra pas 5 vitesh përdorimi?

Studiuesit zbuluan se përdoruesit e melatoninës kishin norma më të larta në të gjitha kategoritë:

Insuficienca kardiake: 4.6% e përdoruesve të melatoninës (3.021 persona) zhvilluan insuficiencë kardiake, krahasuar me 2.7% (1.797 persona) në grupin kontroll, rreth 90% rrezik më i lartë.
Hospitalizimet: 19% e përdoruesve të melatoninës (12.411 persona) u hospitalizuan për insuficiencë kardiake, krahasuar me 6.6% (4.309 persona) të mos-përdoruesve, pra 3.5 herë rrezik më i madh.
Vdekshmëria nga të gjitha shkaqet: Përdoruesit e melatoninës kishin pothuajse dyfish më shumë gjasa të vdisnin nga çfarëdo shkaku gjatë periudhës pesëvjeçare.

A mund ta përkeqësojë melatonina shëndetin e zemrës?

Autori kryesor i studimit, dr. Ekenedilichukwu Nnadi, specializant i mjekësisë së brendshme në SUNY Downstate/Kings County Primary Care në Brooklyn, tha se këto rezultate ngritin pyetje të rëndësishme.

“Suplementet e melatoninës ndoshta nuk janë aq të padëmshme sa supozohet zakonisht. Nëse studimi ynë konfirmohet, kjo mund të ndikojë në mënyrën se si mjekët këshillojnë pacientët për ‘ndihmësit e gjumit’, tha dr. Nnadi.

Megjithatë, ai dhe ekspertët e tjerë theksuan se është shumë herët për të thënë se melatonina dëmton zemrën.

Dr. Abha Khandelwal, kardiologe dhe profesore e mjekësisë kardiovaskulare në Stanford Medicine, theksoi se nevojiten më shumë të dhëna për dizajnin e studimit dhe karakteristikat e pjesëmarrësve.

Kardiologia dr. Joyce M. Oen-Hsiao nga Yale Medicine shtoi se këto rezultate bien ndesh me gati dy dekada kërkimesh që sugjerojnë se melatonina mund të ketë efekte pozitive te pacientët me insuficiencë kardiake. Por studimi i ri nuk është konceptuar për të provuar një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.

Dr. Oen-Hsiao shtoi se faktorë të tjerë mund të shpjegojnë rrezikun më të lartë mes përdoruesve të melatoninës: një pjesë e madhe e personave me pagjumësi vuajnë edhe nga gjendje të tjera mjekësore, si ankthi, depresioni, obeziteti, hipertensioni, diabeti ose aktivitet i ulët fizik, të cilat ndikojnë në shëndetin e zemrës.

Pse melatonina mund të jetë e lidhur me probleme kardiake?

Studiuesit theksojnë se nuk ka prova të qarta që melatonina shkakton probleme të zemrës apo rrit rrezikun e vdekjes. Megjithatë, ekzistojnë shpjegime të mundshme:

Melatonina është hormon që prodhohet në tru dhe rregullon ritmin cirkadian, i cili ndikon në tensionin e gjakut, ritmin kardiak dhe tonusin vaskular.

Marrja e saj kronike ose në doza shumë të larta, të paregulluara, mund të prishë ritmet natyrore ditë-natë.

Suplementet shpesh përmbajnë doza më të larta se sa deklarohet në etiketë, duke rritur rrezikun e efekteve të padëshiruara.

Nga ana tjetër, kërkimet tregojnë se melatonina mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit, tensionit të gjakut dhe inflamacionit në arterie. Ajo gjithashtu përmirëson cilësinë e gjumit, gjë që lidhet me stres më të ulët dhe energji më të lartë.

A duhet të heqin dorë njerëzit nga melatonina?

Ekspertët thonë se nuk ka arsye për panik. Shumica e njerëzve mund ta marrin në dozat e rekomanduara pa probleme të mëdha. Idealja është:

të fillohet me dozën më të ulët të mundshme,
të mos merret çdo natë,
përdorimi i saj të jetë nën këshillimin e mjekut, sidomos nëse pacienti ka sëmundje të zemrës ose përdor ilaçe të tjera.
/Telegrafi/