Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shoferit të autobusit B.M., i cili u arrestua të premten në rajonin e Prishtinës duke transportuar rreth 120 kilogramë drogë të dyshuar si marihuanë nga Shqipëria drejt Kosovës.
Sipas njoftimit të sistemit prokurorial, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” si dhe veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në aktin e paraqitur thuhet se më 21.11.2025, i pandehuri me një autobus ka transportuar lëndë narkotike nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, me qëllim që më pas ajo të dërgohej në shtete të ndryshme të Evropës.
Autobusi është ndaluar në rajonin e Prishtinës dhe, gjatë kontrollit, nën ulëset e pasagjerëve janë gjetur bunkerë të modifikuar ku ishin fshehur qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike, me peshë të përgjithshme rreth 120 kilogramë.
Pas seancës dëgjimore, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa më e përshtatshme, me arsyetimin se nëse i pandehuri lihet në liri, mund të ndërhyjë në hetime duke komunikuar me bashkëkryerës të tjerë dhe të përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Po ashtu, gjykata ka konstatuar se ekziston rrezik që i pandehuri të vazhdojë me aktivitete të ngjashme kriminale ose të përfundojë veprime të tjera lidhur me trafikimin e narkotikëve, “duke pasur parasysh përfitimet e mëdha që sjellin këto veprime të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

