Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 117-vjetorin e Kongresit të Alfabetit, duke nënvizuar rëndësinë historike të njësimit të shkrimit shqip për bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht ndarjeve politike, krahinore e ideologjike.
Në një reagim publik në Facebook, Kurti thekson se gjuha dhe shkrimi i saj i njësuar janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe faktor politik dhe kulturor që lidh kombit dhe garanton përjetësimin e identitetit shqiptar, përcjell “Bota sot”
Gjithashtu, ai kujtoi rolin historik të Manastirit, Prizrenit e Vlorës si vendndodhje kyçe për zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe theksoi se datat e 22 nëntorit dhe Kuvendi i Vlorës lidhen ngushtë me idenë e lirisë dhe vetëvendosjes.
Shkrimi i plotë
Që nga Kongresi i Manastirit më 1908 e deri te Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972, kemi përpjekjet për të njësuar shkrimin e shqipes, jo thjesht për arsye operative, por edhe për një arsye tjetër: që përkundër ndarjeve politike, krahinore, ideologjike, shqiptarët të bashkoheshin te gjuha, sepse lëvrimi i njëkohshëm i gjuhës së shkruar, do të ishte dhe është ende kushti për të përballuar dhe kapërcyer efektet e ndarjeve të tjera. Sepse, kombi nuk është në të kaluarën, është në të tashmen dhe në të ardhmen. Përveçse masë njerëzore, është edhe frymë që e kthen masën njerëzore në një bashkësi. Bashkë na bën gjuha si fakt i natyrshëm, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj.
Prandaj, çdo vit kujtojmë 22 nëntorin si Ditë të Alfabetit. Prandaj Manastiri i bashkëngjitet Prizrenit e Vlorës si tre vendndodhje të rëndësishme të historisë sonë. Përkujtimi brenda javës edhe i Kongresit të Manastirit, edhe i Kuvendit të Vlorës, lidh bashkë gjuhën e kulturën me idenë e lirisë dhe të vetëvendosjes. Të dyja datat na përcjellin kujtesën, amanetin, vullnetin për të përjetësuar njësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve.
Gëzuar 117-vjetori i Kongresit të Alfabetit!
Fjala ime e plotë me rastin e shënimit të 117-vjetorit të Kongresit të Manastirit:
https://kryeministri.rks-gov.net/…/fjala-e-plote-e…/

