Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me pretendimet për bllokimin e buxhetit.
Murati ka shpjeguar se Thesari kishte alokuar buxhetin për dhjetor për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, me qëllim që të paguheshin shërbime esenciale si energjia elektrike.
Sipas Muratit, megjithëse alokimi ishte bërë, stafi i Komunës së Prishtinës nuk e kishte kryer asnjë pagesë deri në fund të ditës, me arsyetimin se pagesat do të bëheshin “të hënën”.
Ai ka akuzuar kryetarin Rama dhe nënkryetarët e tij për përdorimin e situatës për “propagandë anti-qeveri”, duke theksuar se, po të ishin paguar faturat të premten, nuk do të kishte pasur mundësi për të bërë ankesat gjatë fundjavës.
“Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike. Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”. Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen”, ka shkruar Murati në Facebook.
Në fund, Murati ka theksuar se kjo sjellje e autoriteteve të Prishtinës sqaron edhe arsyen pse deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin e Prishtinës në Kuvend, duke i akuzuar ata se, për mungesë kauzash reale, nuk e kursyen as qytetarët e kryeqytetit.
“Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend. Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, ka përfunduar Murati.
Reagimi i Muratit vjen pas kritikave të kryetarit të Prishtinës, i cili të dielën, në një konferencë për media, e ka akuzuar Qeverinë se po i bllokon financat e qytetit për arsye politike, duke i lënë pa mundësi për të paguar shërbimet esenciale.

