Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abdixhiku: Qeveria po e mban peng Prishtinën – 35 milionë euro të Kryeqytetit të bllokuara për hakmarrje politike

 
   

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së transportit publik në Prishtinë, duke e cilësuar situatën si pasojë direkte të bllokadës së ushtruar nga Qeveria ndaj Kryeqytetit.

Në një postim publik, Abdixhiku tha se “kur bllokada 10-mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën”, duke shtuar se pushteti aktual “jeton dhe ushqehet me bllokadë”.

Ai theksoi se mungesa e transportit publik, punëtorët pa paga, protestat dhe pritjet e gjata të qytetarëve në stacione janë rezultat i “hakmarrjes politike ndaj Kryeqytetit”.

Sipas tij, bllokada nuk po godet LDK-në, por jetën e përditshme të qytetarëve. “Prishtina rrezikon shkollat, qendrat mjekësore dhe shërbimet bazike”, deklaroi Abdixhiku, duke akuzuar Qeverinë se fshihet pas justifikimeve burokratike për të mbuluar mungesën e vullnetit politik.

Postimi i plotë:

Kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën. Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë! Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione; dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër. Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi.

Popullistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e Kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në. E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet. E bllokojnë mësimin e fëmijëve, punën e prindërve, ekonominë e Prishtinës; kryeqendrën e vet shtetit. Dhe kur këta fshihen pas justifikimeve burokratike, atëherë secili e ka të qartë se problemi nuk është më tek procedura, por tek vullneti politik që këta nuk e kanë. Pra nuk është te ligji, por te mllefi. Nuk është te mirëkuptimi, por te arroganca. Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta; plot 35 milion euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike.

Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?! Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish.

Por deri atëherë – le ta dijë secili – se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij që ka humbur kontaktin me qytetin, me realitetin dhe me detyrimin e tij më bazik: t’i shërbejë njerëzve, jo t’i ndëshkojë ata. Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër. Këto janë lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie.