Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria thotë se u cenua vota e lirë, ish-nënkryetari i Kllokotit mohon akuzat që i vihen në barrë

 
   

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën është dhënë fjala përfundimtare në rastin ndaj Sasha Mirkoviq, ish-nënkryetar i Kllokotit i cili akuzohet për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve. Prokrori special, Ilir Morina tha se i akuzuari cenoi të drejtën në votë të lirë, ndërkaq Mirkoviq mohoi akuzat.

Gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, Morina tha se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari Mirkoviq ka cenuar votën e lirë e që është e garantuar me Kushtetutë dhe akte ndërkombëtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Morinës, Mirkoviq në cilësi të nënkryetarit të Komunës së Kllokotit kishte marrë veprime me dashje direkte që të ndikonte në vullnetin e qytetarëve të kësaj komune gjatë procesit zgjedhor të vitit 2021.

Në zyrën e të akuzuarit si nënkryetar, sipas Morinës, janë gjetur fletëvotime të zbrazta, të plotësuara, si dhe laps kimik që kanë shërbyer për votim.

Ndërkaq, nga dëshmitarët, Morina tha se kemi mundur të kuptojmë se si ka ekzistuar organizimi mes Mirkoviq dhe kryetarit Bozhidar Dejanoviq, për të ndikuar në vullnetit e qytetarëve gjatë procesit të votimit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Mirkoviqit, avokati Isa Salihu tha se prokurori i shtetit ka dështuar të listojë personat e dëmtuar në këtë rast.

Sipas Salihut, fakti se në aktakuzë nuk ka të dëmtuar, lë të kuptohet se nuk e dimë ende se kujt i është cenuar e drejta e votimit.

Sipas tij, aktakuza është e mangët dhe se dëshmitarët e mbrojtur gjatë dhënies së dëshmisë para gjykatës kanë pasur ndryshime me deklarimet e dhëna gjatë fazës së hetimeve, për çka tha se nuk duhet t’iu falet besimit atyre deklaratave.

Gjithashtu, avokati Salihu tha se aktakuza nuk ka referencat e duhura mes veprimit-mosveprimit dhe pasojës së shkaktuar, dhe se me asnjë provë materiale nuk vërtetohet pretendimi i shënuar si në aktakuzë ndaj Mirkoviqit. Paraprakisht, u dha mbrojtja nga i akuzuari Mirkoviq, duke thënë se ka pasur raporte jo të mira me kryetarin Dejanoviq, duke shtuar se si rezultat i raporteve jo të mira kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit.

Mirkoviq tha se zyra e tij ka qenë pjesë e objektit të disa organizatave të huaja, pasi që nuk kanë pasur objekte të tyre. Tha se nuk ka pasur kompetenca në asnjë formë që të kërcënojë qytetarë për largim nga puna apo marrje të socialit nëse nuk voton partinë që ai ka kërkuar.

Mirkoviq sqaroi se nuk ka qenë pjesë e partisë politike Lista Serbe.

Në këtë gjykim u administrua si provë materiale dokumenti i Komunës së Kllokotit që dëshmon se Refika Halili nuk ishte i punësuar në këtë Komunë gjatë periudhës kur kishte dëshmuar para gjykatës se ishte i punësuar në Drejtorinë e Arsimit si këshilltar.

Për dhënies së mbrojtjes dhe fjalës përfundimtare, gjykimi përfundoi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Sasha Mirkoviq akuzohet se në periudhën kohore janar – shkurt 2021, në territorin e Komunës së Kllokotit, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, në bashkëkryerje me të dënuarin Bozhidar Dejanoviq dhe persona të tjerë, ka përdorur kanosje serioze ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore para dhe gjatë zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.

Në aktakuzë thuhet se, së bashku me kryetarin e Komunës së Kllokotit, të dënuarin Bozhidar Dejanoviq, kanë ushtruar presion dhe kërcënim serioz ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë të Komunës së Kllokotit, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik “Lista Serbe”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mirkoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota me metoda të njëjta, për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”, duke i kanosur qytetarët me humbje të vendit të punës apo me humbjen e të drejtës në pagesë sociale dhe kështu kanë ndikuar dhe i kanë detyruar qytetarët që të votojnë në mënyrë të caktuar, përkatësisht për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”.

Me këtë, Sasha Mirkoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimi të lirë të votuesve” e sanksionuar me nenin 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me një deri në pesë vjet burg.