Pas ndaljes së shërbimeve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” për herë të parë që nga themelimi i saj, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për keqpërdorim politik të ndërmarrjeve publike.
“Sot Komuna e Prishtinës po përballet me një keqpërdorim të paprecedent të institucioneve dhe ndërmarrjeve të saj publike. Kryetari Përparim Rama i ka vënë ndërmarrjet komunale në funksion të propagandës së LDK-së në përpjekje për të ndërtuar një narracion të rremë kundër Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ky është manipulim i pastër politik i planifikuar dhe i qëllimshëm”, tha Sveçla në një konferencë për media, duke theksuar se ky narracion është vazhdimësi e fushatës së Ramës në zgjedhjet lokale dhe po përdoret si kauzë për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Sa i përket buxhetit të kryeqytetit, ai rikujtoi se Komuna e Prishtinës i ka kaluar të gjitha afatet administrative dhe ligjore dhe se buxheti i Republikës së Kosovës është miratuar në Kuvend pa përfshirjen e buxhetit të Prishtinës. Sipas tij, “narracioni i ngritur për bllokadë nuk është fare i vërtetë dhe të vetmit bllokues të buxhetit të Prishtinës janë Përparim Rama, LDK dhe lideri i saj Lumir Abdixhiku”.
Sveçla akuzoi partitë e deridjeshme opozitare se po e përdorin çështjen e buxhetit për përfitime elektorale. “Partitë opozitare LDK dhe PDK nuk kanë dashur ta miratojnë buxhetin e Prishtinës sepse kjo ju shërben për fushatën e tyre në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai, duke theksuar se këtë e ka konfirmuar sot edhe presidentja Vjosa Osmani kur tha se Kuvendi ka pasur të drejtë të votojë buxhetet e komunave.
Ai shtoi se qyteti po vuan pasojat e, siç e quajti ai “mungesës së përgjegjësisë dhe strategjisë bllokuese politike nga ana e kryetarit Rama dhe LDK-së.
“Zhvillimi i qytetit është sabotuar dhe kjo me synim elektoral”, tha ai.
Sveçla kërkoi ndërhyrje të menjëhershme të organeve të drejtësisë: “Të nisin hetime të plota dhe ta trajtojnë pa vonesë të gjitha denoncimet që i kemi bërë ndër vite për keqpërdorimet në Komunën e Prishtinës dhe për keqmenaxhimin në ndërmarrje publike, të cilat sot rezultuan me bllokimin e qytetit”.
Sveçla kritikoi edhe menaxhmentin e ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’, duke thënë se “vetëm gjatë vitit 2025, ka punësuar mbi 100 persona, kryesisht militantë partiakë të PDK-së dhe LDK-së, duke e rënduar stabilitetin financiar të ndërmarrjes”.
“Ndërmarrjet janë të qytetit jo të partive, ato janë të punës e nuk duhet të shërbejnë si mjet për propagandë. Askush nuk ka të drejtë t’i përdorë ndërmarrjet komunale publike në shërbim të politikës dhe propagandës”, nënvizoi ai.

