Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit politike, duke sqaruar sipas tij “të vërtetën” rreth përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme ndërmjet partive politike para shpërbërjes së Kuvendit për votimin e buxhetit.
Në një postim në facebook, ai tha se në mbrëmjen kur u mandatua Glauk Konjufca për kryeministër, kishte shprehur gatishmërinë te Presidentja për të votuar një pako të gjerë, që sipas tij mund të quhej edhe “Pako e Presidentes”. Kjo pako përfshinte zgjatjen e buxhetit për tre muaj, miratimin e ligjeve për Prishtinën e Gjilanin, sigurimin e pagave për RTK-në dhe votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Sipas Abdixhikut, Presidentja kishte komunikuar menjëherë me mandatarin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët ishin shprehur pozitivë për këtë ide. Pas kësaj, ai thotë se kishte njoftuar kryetarët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës, ndërsa për zhvillimet e kishte informuar edhe ambasadorë të QUINT-it.
Megjithatë, Abdixhiku deklaron se prej asaj dite “asgjë nuk ka lëvizur për 15 ditë”, duke e cilësuar heshtjen si krijim të qëllimshëm krize dhe zvarritje politike pa arsye.
Ai theksoi se propozimin e kishte rikthyer në tavolinë edhe gjatë nënshkrimit të dekretit për shpërbërjen e Kuvendit, ku kishte përsëritur se LDK nuk ishte kundër nëse do të ekzistonte gatishmëri e përgjithshme. Por, sipas tij, as atëherë nuk pati reagim.
“Kuptoj që jemi në betejë politike, por së paku duhet të ruajmë korrektësinë dhe sjelljen njerëzore”, tha Abdixhiku, duke shtuar se bllokada, sipas tij, ka qenë e qëllimshme dhe po zgjat prej 12 muajsh.
Postimi i plotë:
Dje, i zënë me punët tona organizative e të nominimit, më paska ikur deklarimi i Presidentes, e më pas edhe ekzaltimi i Sanço Pançove që paskan shpërndarë “të vërtetën” e tyre. E vërteta është kështu – dhe për këtë qëndroj para vendit dhe Zotit: Në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide. Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it. Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. 15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar.
E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik. Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gadishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht. Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë.
Ani pse ishin shpenzuar 15 dië pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gadishmëri as për ta diskutuar bashkarisht në mjë vend këtë ide. Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore. Kjo është e vërteta. Gjithsesi, per të gjitha sfidat ka zgjidhje. Do ta shihni dhe në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës. Kosova mund të bëhet lehtë. Është e jona. Do ta bëjmë!

