Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hajdaraj: Besim Kelmendi është shkarkuar për qëndrime të njëanshme e denigruese

 
   

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se ish-ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë shkak i qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e KPK-së dhe prononcimet që kishte bërë në media pas vendimit për ta larguar nga pozita e UD Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndërsa deklarimet e Kelmendit dhe katër anëtarëve të tjerë në një konferencë për media me 20 nëntor, duke thënë se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI dhe organe të tjera të sigurisë sipas tij, përbëjnë një hije të keqe dhe fyerje për ta dezinformuar publikun.

Në një konferencë për media, Hajdaraj tha sot se në takimin e mbajtur më 20 nëntor të KPK-së, Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë e lëshuan takimin në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tij, Kelmendi ka cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial dhe sot karrigen e tij ka zënë prokurori Agron Qalaj.

Kelmendi ka cenuar besimin e publikut, tha Hajdaraj

“Në atë takim këta (katër) anëtarë të këshillit erdhën të përgatitur dhe me qëllim për ta bllokuar punën e këshillit.. Nga qëndrimet e një anshme dhe denigruese ndaj sistemit prokurorial të shprehura nga Kelmendi në takimin e këshillit dhe në prononcime për media është ndjekur rrjedhshëm roli unifikues që i takon kryeprokurorit të shtetit si dhe ka cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial, për këtë arsye kemi marrë vendimin për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.. Edhe sot ritheksojmë se, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në rrethanat e krijuara nga veprimet e tij kemi marrë vendim për shkarkimin e besim Kelmendit në vend të tij kemi caktuar prokurorin Agron Qalaj”, tha Hajdaraj.

Hajdaraj, shtoi se mirëpresin qasjen e Kelmendit që të ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi, pasi i njëjti i ka paditur.

Sipas tij, tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e KPK-së përbën një sulm të drejtpërdrejtë në punën e institucionit dhe kërcënim për rendin dhe sigurinë juridike.

Ai, bën thirrje UD Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, që të shqyrtoj të gjitha pretendimet e Kelmendit për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e secilit person të përfshirë në këtë rast.

Tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e KPK përbën sulm, theksoi Hajdaraj

“Ne e mirëpresim qasjen e Kelmendit që të ndjek gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi, ne duhet t’i besojmë sistemit tonë gjyqësorë për vendimet që merr përfshi edhe këtë çështje. Tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e KPK përbën sulm të drejtpërdrejtë në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për rendin dhe sigurinë juridike.. I bëj thirrje UD së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, që të shqyrtoj të gjitha pretendimet e Kelmendit për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e secilit person të përfshirë në këtë rast”, tha ai.

Sipas tij, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj shtoi se asnjë anëtarë i KPK-së nuk është kërcënuar apo shantazhuar, siç ishin shprehur anëtarët në konferencë për media duke kërkuar mbrojtje nga AKI-ja.

Po ashtu, ai i bëri thirrje Presidentes e Qeverisë në detyrë që të mos ndërhyjnë në punën e sistemit prokurorial dhe të respektojnë pavarësinë institucionale, pas deklarimeve të presidentes Osmani, për kinse kërcënimet e disa anëtarëve.

Hajdaraj tha se Presidentja është e keq informuar.

Hajdaraj i bënë thirrje Presidentes e Qeverisë që të mos ndërhyjnë në punën e sistemit prokurorial

“Referuar deklarimeve të anëtarëve të Këshillit në atë konferencë të mbajtur në objektin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI dhe organe të tjera të sigurisë, kjo përbën një hije të keqe dhe fyerje për ta dezinformuar publikun. Askush nuk është kërcënuar, kanosur, shantazhuar që ndikohet në një formë të ndikimit të paligjshëm. Ne dje pamë edhe një deklarim të Presidentes Osmani, e cila reagoi për kinse kërcënimet e disa anëtarëve të KPK, që ndikuan nga deklarimet e bëra nga disa anëtarë me 20 nëntor. Presidentja mund të jetë e keq informuar, ne i bëjmë thirrje Presidentes, Qeverisë që të mos ndërhyjnë në punën e sistemit prokurorial dhe të respektoj pavarësinë institucionale”, tha Hajdaraj.

I pyetur për reagimin e Bashkimit Evropian për largimin e Kelmendit dhe organizatave të shoqërisë civile, Hajdaraj tha se kanë respektuar ligjin dhe se nuk komenton deklarimet e shoqërisë civile.

Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

Po ashtu, Kelmendi ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

Për këtë vendim, Kelmendi ka paditur sot Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit.

Në një konferencë për media pas shkarkimit të tij, katër anëtarë së bashku me Kelmendin kërkuar mbrojtje nga AKI-ja dhe Policia e Kosovës pasi ndiheshin të rrezikuar.

Ndryshe, në një konferencë të jashtëzakonshme të mërkurën, u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi tha se është intervistuar nga Prokuroria Speciale. Ai tha se shkrimet e fundit ndaj tij janë shpifje, ndërkaq foli për punën që ka bërë në Gjykatën e Qarkut dhe ftesën për të dëshmuar si dëshmitar për rastin e masakrës së Reçakut.

Ai tha se asnjëherë para vitit 2001 nuk ka qenë në Reçak dhe se për këtë ftesë thotë se nuk ka marrë asnjë arsyetim nga Prokuroria. Kelmendi ka mohuar të ketë qenë në Reçak para vitit 2001, duke thënë se nëse gjendet vetëm një foto nga koha e masakrës së tmerrshme nga forcat serbe, ai do të jep dorëheqje dhe do ta braktisë Kosovën.