Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë është ndriçuar sonte me ngjyrë portokalli, si shenjë mbështetjeje për fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Përmes një njoftimi, Ambasada ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për të punuar me institucionet dhe organizatat partnere në Kosovë në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për të punuar me partnerët në Kosovë për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe për të krijuar një të ardhme më të ndritur, pa dhunë, për të gjitha gratë dhe vajzat”, thuhet në njoftim.
Ndriçimi me ngjyrën portokalli, simbol i shpresës dhe solidaritetit, është bërë në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, periudhë gjatë së cilës në mbarë botën bëhen thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim kundër dhunës gjinore.

