Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zogaj për buxhetin e Prishtinës: Është tepruar, s’ka arsye për mos takim Kurti–Rama

 
   

Ish-deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka komentuar gjendjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës, duke e cilësuar situatën si të rëndë dhe të papranueshme.

“Jam duke i përcjellë me shqetësim të madh krejt këto që po ndodhin në Prishtinë. Të them të drejtën, tashmë ka tepruar. Prishtina aktualisht është në një gjendje shumë të rëndë për arsye se buxheti është totalisht i bllokuar. Ai ka pasur vazhdimisht buxhet të lëshuar, por tash, në fund të vitit, janë grumbulluar obligime si për operatorët publikë ashtu edhe privatë. Është mbush kupa me këtë sjellje të qeverisë, që është e papranueshme, ka thënë Zogaj.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një takimi mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për zhbllokimin e situatës.

“Ka mundësi që ky problem të zhbllokohet përmes një takimi ku Përparim Rama e fton edhe Albin Kurtin. Ne mendojmë që kjo është krejtësisht politike dhe e qëllimshme. Nuk ka arsye pse të mos ndodhë ky takim mes Kurtit dhe Ramës. Përkundrazi, Kurti duhet ta ftojë vetë Ramën që të flasin për këtë situatë që ka ndodhur”, shtoi Zogaj.

Zogaj u shpreh se ka shumë mundësi dhe mënyra për të rregulluar buxhetin, por për këtë nevojitet vullnet politik dhe koordinim mes nivelit qendror dhe atij lokal.