Lufta gjenocidale më shumë se dyvjeçare e Izraelit ka detyruar pothuajse të gjithë dy milionë banorët e Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre për të jetuar në tenda të improvizuara në kampe zhvendosjeje.
Vuajtjeve të tyre u shtohet edhe mundësia e stuhive të ashpra dimërore dhe përmbytjeve që mund të çojnë në zhdukjen e edhe këtyre strehimoreve të përkohshme, të cilat nuk janë në gjendje t’i rezistojnë kushteve të vështira.
Gaza tashmë është përballur me përkeqësim të kushteve të motit.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kemi parë erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe temperatura në rënie të ndjeshme këtu, duke i shndërruar shumë nga zonat e zhvendosura këtu në pellgje me ujë të baltosur”, ka raportuar Al Jazeera nga Qyteti i Gazës.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) javën e kaluar tha se reshjet e shiut kanë dëmtuar të paktën 13,000 tenda.
Sipas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, dhe të cilin Izraeli e ka shkelur qindra herë , shpërndarja e ndihmave duhej të rritej ndjeshëm, me të paktën 600 kamionë në ditë që do të hynin në Gaza për të përmbushur nevojat e popullsisë.
Megjithatë, Zyra e Medias së Qeverisë së Gazës ka thënë se vetëm mesatarisht 145 kamionë kanë hyrë në Gaza që nga armëpushimi.
Lëvizja Muxhahedine Palestineze lëshoi një deklaratë, duke dënuar mungesën e furnizimeve për të ndihmuar palestinezët ndërsa afrohet dimri.
“Vuajtjet e popullit tonë në Gaza, veçanërisht të të zhvendosurve, janë përkeqësuar për shkak të motit të ftohtë dhe me shi. Përmbytja e tendave të personave të zhvendosur është një rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së rrethimit sionist [izraelit] dhe parandalimit të hyrjes së nevojave themelore, ndërkohë që bota hesht”.
Ajo i bëri thirrje gjithashtu bashkësisë ndërkombëtare që të “ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të ushtrojë presion mbi armikun sionist për të hapur kalimet dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave dhe furnizimeve thelbësore”.

