Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Studimi! Truri ynë nuk ndalon kurrë së ndryshuari, adoleshenca deri te të tridhjetat, ja 5 fazat kryesore të zhvillimit

Një studim i ri shkencor zbulon se truri i njeriut nuk ndalon kurrë së ndryshuari dhe gjatë jetës kalon pesë faza të qarta zhvillimi, të shoqëruara me katër moshë-kyçe që shënojnë ndryshime të mëdha në funksionimin e tij.

Hulumtimi, i cili analizoi skanime të trurit të rreth 4.000 njerëzve deri në moshën 90 vjeç, tregon se truri mbetet në fazën “adoleshente” deri në fillimin e të tridhjetave, moment kur arrin pikun e tij funksional.

Sipas BBC, pikat e mëdha të ndryshimit ndodhin në moshat 9, 32, 66 dhe 83 vjeç. Këto të dhëna ndihmojnë në kuptimin e rrezikut të çrregullimeve mendore dhe sëmundjeve neurodegjenerative, si demenca, përgjatë gjithë jetës.

Dr. Alexa Mousley shpjegon se: “Truri rindërtohet vazhdimisht. Forcon dhe dobëson lidhjet e tij pa ndjekur një model të pandryshueshëm, ka ritme të alternuara dhe faza të rikonfigurimit.”
Sipas saj, megjithëse njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri, këto katër mosha u shfaqën shumë qartë në të dhënat e studimit, falë numrit të madh të skanimeve të përdorura.

Pesë fazat e zhvillimit të trurit
1) Fëmijëria (nga lindja deri në 9 vjeç)

Truri rritet me shpejtësi dhe heq lidhjet e tepërta nervore që formohen në vitet e para. Në këtë periudhë funksionon më pak në mënyrë të organizuar si një fëmijë që eksploron pa drejtim të qartë.

2) Adoleshenca e zgjeruar (9–32 vjeç)

Nga mosha 9 vjeç e deri në fillim të të 30-ave, lidhjet nervore bëhen gjithnjë e më efikase. Kjo është periudha me ndryshimet më të mëdha në tru dhe coincidon me rrezikun më të lartë për shfaqjen e çrregullimeve mendore. Truri arrin pikun e tij funksional në fillim të dekadës së tretë.

3) Mosha e rritur (32–66 vjeç)

Kjo është faza më e gjatë dhe më e qëndrueshme. Ndryshimet në tru ndodhin më ngadalë, efikasiteti fillon të ulet pak e nga pak, dhe vërehet një lloj “platoje” edhe në personalitet dhe aftësi njohëse.

4) Plakja e hershme (66–83 vjeç)

Rreth moshës 66 vjeç, truri hyn në një periudhë tranzicioni. Nuk funksionon më si një sistem i bashkuar, por ndahet në nënzona që bashkëpunojnë më ngushtë me njëra-tjetrën. Në këtë fazë shfaqen më shpesh demenca dhe probleme të tjera shëndetësore, si hipertensioni.

5) Plakja e vonë (pas 83 vjeç)

Pas kësaj moshe, ndryshimet e trurit intensifikohen. Gjetja e truve plotësisht të shëndetshëm në këtë grupmoshë ishte sfidë për studiuesit, por modelet e ndryshimit ngjajnë me fazën e plakjes së hershme, vetëm më të theksuara.

Shkencëtarët theksojnë se këto faza lidhen ngushtë me etapë-kyçe të jetës si adoleshenca, formimi profesional, prindërimi dhe sfidat shëndetësore të moshës së tretë. Ndryshimet në “rrjetëzimin” e trurit ndikojnë në vëmendje, memorie, gjuhë dhe sjellje të tjera.

Studimi, i botuar në Nature Communications, nuk i analizoi veçmas burrat dhe gratë, duke lënë të hapur pyetje për çështje si ndikimi i menopauzës.
Prof. Duncan Astle, nga Universiteti i Cambridge, thekson: “Shumë çrregullime neurozhvillimore, psikiatrike dhe neurologjike lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si është i lidhur truri.”

Ndërsa Prof. Tara Spires-Jones nga Universiteti i Edinburgut e përshkroi studimin si “shumë interesant”, pasi tregon qartë se sa shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme ndryshon truri ynë gjatë gjithë jetës.