Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti uron Ditën e Flamurit: Sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë

 
   

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një mesazh të gjatë dhe emocional me rastin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si njërën ndër shtyllat kryesore të identitetit dhe fatit shqiptar.

Kurti u shpreh se rrallë ndonjë komb në botë ka një ditë kaq të ndërthurur me historinë e vet sa 28 Nëntori me kombin shqiptar. Ai rikujtoi se në këtë datë, që nga viti 1443, mbi Kështjellën e Krujës u ngrit flamuri kuqezi i Kastriotëve – një akt që shënoi fillimin e një rruge të gjatë drejt lirisë dhe identitetit kombëtar.

Duke vazhduar me Nëntorin e Dytë, 28 nëntorin e vitit 1912, Kurti theksoi ngritjen e flamurit në Vlorë dhe shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë. Ai përmendi edhe vizionin e Sami Frashërit për një Shqipëri të bashkuar dhe citime nga Luigj Gurakuqi, i cili në vitin 1913 e kishte përshkruar pavarësinë si “një send të pashpresuar e të paçmueshëm” në mes të trazimeve të kohës.

Kurti kujtoi gjithashtu se 28 Nëntori ka mbetur datë historike edhe për shqiptarët e Kosovës. Ai përmendi lindjen e Adem Jasharit në vitin 1955, si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1998, duke nënvizuar se të gjitha këto përpjekje e flijime janë kurorëzuar sot me Shqipërinë dhe Kosovën e pavarur.

Në mesazhin e tij, kryeministri në detyrë foli edhe për vizionin e një “Nëntori të Tretë”, simbol i një faze të re zhvillimi, bashkimi dhe përparimi për kombin shqiptar – një ditë që, sipas tij, duhet të vijë përmes punës e përkushtimit të përbashkët.

Postimi i plotë: 

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1998, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:

Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!