Kryetari i Trupit Gjykues në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, Charles Smith, e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për ta shtuar si dëshmitar edhe ish shefin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapin, qoftë fizikisht e qoftë me shkrim, raporton Klan Kosova.
Sidoqoftë, Smith ka vendosur që pesë deklaratat e mëparshme të Zyrapit të dhëna në rastet e gjykuara në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për krime lufte në ish Jugosllavi më 23 prill 2007, 26 gusht 2011, 1 qershor 2005 dhe 22 e 25 nëntor 2005, të pranohen në kuadër të provave.
Kjo është vendosur vetëm për qëllime krahasimi të dëshmive në fjalë me dëshminë e Zyrapit në Dhomat e Specializuara në korrik 2024, nëse ai është kredibil apo është ndikuar nga Thaçi.
Vendimi është në linjë me pëlqimin e Prokurorisë së Specializuar.

