Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Tingulli i pazakontë që dëgjoni para gjumit mund të sinjalizojë sëmundje të zemrës, paralajmërojnë kardiologët

Ekspertët paralajmërojnë se duhet t’i kushtoni vëmendje rrahjeve të zemrës, sidomos nëse para gjumit dëgjoni një tingull të pazakontë. Një zë i tillë mund të sinjalizojë probleme të ndryshme kardiake, nga valvulat e dëmtuara e deri te sëmundja koronare e zemrës, që shpesh lidhet me arterosklerozën, një “sëmundje e heshtur” me rrezik të lartë në popullatë.

Kur valvulat e zemrës nuk funksionojnë si duhet


Banner

Valvulat e zemrës kontrollojnë drejtimin e rrjedhës së gjakut. Kur ato janë të dëmtuara, qarkullimi pengohet dhe zemra punon më fort se zakonisht. Llojet më të shpeshta të dëmtimit janë prolapsi, stenoza, regurgitimi dhe atrezia. Ato mund të jenë të lindura ose të shkaktuara më vonë nga infeksione, dëmtime, kardiomiopati, reumatizëm i zemrës, endokardit infektiv ose sëmundja koronare.

Arteroskleroza – armiku i heshtur i arterieve

Arteroskleroza ndodh kur arteriet mbulohen me depozita yndyrore të quajtura pllaka arterosklerotike. Me kalimin e viteve, këto pllaka ngushtojnë arteriet, ulin qarkullimin e gjakut dhe rrisin rrezikun e mpiksjes. Kur një pllakë çahet dhe krijon bllokim të menjëhershëm, pasojat mund të jenë infarkt apo goditje në tru. Kur preken arteriet koronare, zhvillohet sëmundja koronare e zemrës, transmeton Telegrafi.

Pse tingulli dëgjohet para gjumit

Simptomat klasike të sëmundjes së zemrës janë dhimbja e gjoksit, lodhja, vështirësia në frymëmarrje dhe marramendja. Por ndonjëherë trupi dërgon sinjale shumë më delikate. Një prej tyre është një tingull i çuditshëm i rrahjeve të zemrës që dëgjohet në qetësinë e mbrëmjes, kur shtrihemi për të fjetur.Sipas Dr. Michael Miller, profesor i mjekësisë kardiovaskulare në Universitetin e Maryland-it, disa persona me dëmtim valvular mund të dëgjojnë natën “zërin” e valvulës së tyre, sidomos kur ndryshojnë pozicion gjatë gjumit. Edhe pse disa njerëz mësohen me këtë fenomen, mjeku thekson se është thelbësore të konsultohet menjëherë mjeku, pasi kjo mund të jetë shenjë e hershme e një problemi kardiak.

Kur tingulli nuk vjen nga zemra

Jo çdo rrahje e çuditshme është alarm për sëmundje serioze. Ekzistojnë edhe arsye të tjera që mund të krijojnë tinguj të pazakontë të rrahjeve të zemrës, përfshirë:

tension të ulët të gjakut
anemi
nivel të ulët të sheqerit
dehidratim
barna që ndikojnë ritmin kardiak
Megjithatë, identifikimi i shkakut është shumë i rëndësishëm për të përjashtuar sëmundjet e zemrës dhe për të marrë trajtimin e duhur në kohë.