Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka kritikuar refuzimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Rudolph thotë se zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike, nga akterët politikë.
“Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në refuzimin për të certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social “Bluesky”.
Vendimi i KQZ-së u mor dje gjatë një mbledhjeje, ku rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

