Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria: Kosova përmbyll me sukses vitin e parë të udhëheqjes në CEFTA

 
   

Qeveria në detyrë vlerëson se Kosova ka përmbyllur me sukses vitin e parë të udhëheqjes direkte në CEFTA, duke miratuar 11 vendime të rëndësishme dhe duke treguar lidership rajonal në bashkëpunimin tregtar. Gjatë “Javës së CEFTA-s” në Prishtinë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti mirëpriti Sekretaren e re të Përgjithshme, Pranvera Kastrati, ndërsa u realizua edhe transferimi i presidencës së CEFTA-s drejt Shqipërisë, duke siguruar bashkëpunim të mëtejshëm për vitin 2026.

Gjatë takimeve të mbajtura më 1, 2 dhe 3 dhjetor, nën kryesimin e Kosovës përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u miratuan katër vendime të rëndësishme, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendimeve gjatë këtij viti në 11.  Kurti theksoi se kjo dëshmon “efikasitetin dhe lidershipin e Kosovës në udhëheqjen rajonale si dhe rëndësinë që kushton bashkëpunimit rajonal, integrimit në Bashkimin Evropian dhe thellimin e tregtisë”.

“Vendimet e miratuara dje shënojnë hapa të rëndësishëm drejt lehtësimit të tregtisë, standardizimit të procedurave, digjitalizimit dhe rritjes së sigurisë ushqimore dhe doganore në rajon”, theksohet në njoftimin e ZKM-së.

Kryeministri në detyrë vlerësoi gjithashtu zgjedhjen e Sekretares së re të Përgjithshme, Pranvera Kastrati, duke theksuar se “shqiptarja e parë që e drejton CEFTA-n që nga ekzistenca e saj nga viti 2006 është vendim kyç që u realizua pikërisht gjatë presidencës së Kosovës, e që dëshmon aftësinë e vendit tonë për të thyer bllokadat dhe për të ndërtuar konsensus rajonal”.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se sot u realizua edhe transferimi i presidencës së CEFTA-s nga Kosova, nga ministrja Rozeta Hajdari, te Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë. Kryeministri Kurti i uroi Shqipërisë suksese dhe siguroi se Kosova do të ofrojë “bashkëpunimin e plotë” gjatë udhëheqjes në vitin 2026.