Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Seanca në veri të Kosovës nën tension dhe dëshirës për betim

 
   

Seanca konstituive në Mitrovicën e Veriut është mbajtur nën tension dhe me debate në mes përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë.

Fillimisht është bërë betimi i asamblistëve. Aty kishte edhe asamblist që vendosen para vetës flamurin e Serbisë. Megjithatë, në sallë ishte flamuri dhe stema e Kosovës, si dhe fotografia e presidentes, Vjosa Osmani. Seanca u zhvillua në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, ndërkohë, edhe rendi i ditës mbante stemën e Kosovës.

Asamblisti i Iniciativës Qytetare Serbe, Marko Jakshiq kishte vendosur para vetës flamurin serb gjatë betimit, por ka hequr atë gjatë fjalimit, duke thënë se nuk është për të krijuar tensione.

Jakshiq: Nuk jam këtu për të krijuar tensione

“Para se të them atë që dua të them, unë nuk jam këtu për të krijuar tensione apo për të matur forcën ndaj dikujt, por jam këtu për të punuar në interes të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut. Për këtë kam marrë një mbështetje të madhe…Në këtë moment, si kryesues, ndihem i rrezikuar dhe i pasigurt, sepse në këtë sallë, përveç nesh dhe gazetarëve, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të policisë. I kam pyetur kolegët shqiptarë nëse kanë frikë nga ne, nga serbët, dhe ata kanë thënë se jo”, tha ai, duke shtuar se nuk po ndihen të lirë ta kryejnë punën e tyre.

Asamblisti Ermir Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar që të mos politizohen kjo seancë, por të vazhdohet me seancën duke respektuar ligjin.

Azemi: Jemi në shtëpinë tonë, s’kemi pse të frikësohemi

“Sa i përket frikës jemi në shtëpinë tonë, në shtetin tonë nuk nevojë kemi për frikë, nuk e di kush është policë këtu e kush është civil. Ne jemi të barabartë, nuk ka nevojë asgjë të politizohet, jemi ardhë këtu të betohemi në mbledhjen solemne. Nuk ka nevojë të politizohet asgjë, ta kryejmë këtë siç e donë ligji, rendi. Dëshirat mund të jenë tjera, kjo është ajo që duhet të respektohet, ligji dhe rendi, mos ta politizojmë”, tha ai.

Aida Ferati Doli nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se kanë marrë besimin nga qytetarët dhe nuk po shohin policë në këtë sallë.

Doli: Nuk po vërej policë në sallë

“Nuk kemi nevojë për pyetje të tilla a frikësoheni apo nuk frikësohemi, ne jemi këtu për të konstituuar Kuvendin Komunal të Veriut, sa i përket policisë unë nuk po vërej policë në këtë sallë”, tha ajo.

Seanca vazhdojë dhe nga ekipi i KosovaPress-it nuk janë vërejtur zyrtarë policor civil. Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojveq, ka dhënë betimin.

Radojeviq: Do të mundësojmë një jetë normale

“Të nderuar këshilltarë, ju është dhënë mandati që të punoni së bashku në mënyrë të njëtrajtshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të punoni në interes të qytetarëve dhe në interes të komunës. Besoj se së bashku do t’iu sjellim qytetarëve tanë prosperitet, do të mundësojmë një jetë normale dhe përsëri do të jemi krenarë për atë multietnicitet dhe bashkëjetesë që ekziston në komunën tonë”, tha ai.

Seanca përfundoi me betimin e Radojeviqit. Në këtë komunë ka gjithsej 15 asamblistë, dy prej tyre shqiptarë.