Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

 
   

Fabrika e parë e municioneve do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar për fundin e vitit 2026.

Ekspertët amerikanë e shohin këtë si një hap të duhur për forcimin e sigurisë.

Por, paralelisht, ngrihen edhe pyetje mbi kapacitetet reale të Kosovës, sfidat teknike dhe implikimet rajonale që mund t’i sjellë kjo nismë.

Qeveria në detyrë e Kosovës më 27 nëntor miratoi kërkesën për shpronësimin e pronave të ish-kombinatit bujqësor Ereniku, për ndërtimin e zonës industriale në Jahoc të Gjakovës, ku do të ndërtohet fabrika e municioneve.

“Me këtë hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Kosovë që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do t’i ngrehë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Kurti në fillim të mbledhjes.

Nëntorin e vitit të kaluar, Qeveria kishte njoftuar për nisjen e procesit për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë, të njohura si dronë.