Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe njëherit kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Ramush Haradinaj, i ka kushtuar disa rreshta diasporës, duke vlerësuar kontributin e saj në momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se në kohën e rezistencës paqësore diaspora ka qenë hambari i Kosovës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme ekonomike dhe morale.
Ai ka përmendur po ashtu se gjatë luftës, mërgata ka qenë e angazhuar drejtpërdrejt, duke u bërë pjesë e përpjekjeve për liri dhe logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Diaspora ka qëndruar gjithmonë krah për krah me Kosovën!
Në kohën e rezistencës paqësore, ata ishin hambari i Kosovës, mbështetja jonë ekonomike dhe morale.
Gjatë luftës, diaspora ishte aktivisht e angazhuar, duke u bërë pjesë e përbërëse e luftës për liri dhe logjistikës së UÇK-së”, shkroi ai.
Sipas Haradinajt, diaspora ka luajtur rol kyç edhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kosovës, ndërsa pas luftës ka qenë gjithmonë pranë vendit në procesin e rindërtimit dhe zhvillimit.
“Vëllezërit dhe motrat nga diaspora ishin zëri ynë në botë për të treguar vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kosovës.
Pas luftës, diaspora ka qenë bashkë me ne, në çdo hap të rindërtimit dhe zhvillimit të vendit.
Diaspora dhe Kosova janë NJË, të pandashme!”, shkroi i pari i AAK-së.

