Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dugolli: Mbi 50% për VV-në, s’do të presim teket e partive për formimin e qeverisë

 
   

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se është plotësisht i bindur se subjekti i tij politik do të arrijë të fitojë mbi 50% të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke i siguruar vetes shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë pa pasur nevojë për koalicione paszgjedhore.

Në emisionin “Ditari”, Dugolli ka theksuar se synimi kryesor i LVV-së është marrja e shumicës së plotë parlamentare.

“Ne synojmë ta fitojmë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë dhe institucionet dhe jemi të bindur se do të dalim fitues në këtë drejtim, pa pasur nevojë për koalicione paszgjedhore. Besoj plotësisht se do të marrim mbi 50%”, është shprehur Dugolli.

Ai ka rikujtuar se në zgjedhjet e kaluara, edhe pse Vetëvendosja kishte fituar mbi 42% të votave, “bllokimet e partive të tjera me përqindje dukshëm më të vogla” penguan formimin e qeverisë pa marrëveshje.

Dugolli ka thënë se këtë herë beson se qytetarët “nuk do të lejojnë eksperimente që e mbajnë VV-në nën 50%”, duke pamundësuar një qeveri të qëndrueshme.

“E kaluara ka treguar se nuk mjafton të kesh mbi 42% të votave, sepse bllokimi që u bë nga partitë e tjera, të cilat kishin përqindje dukshëm më të vogël, e pamundësoi formimin e qeverisë. Tani është në gjykimin e qytetarëve se çfarë do të prodhojnë këto zgjedhje, dhe unë jam i bindur se ata nuk do të lënë më hapësirë për eksperimente të tilla që ta lënë VV-në nën 50%, duke mos i dhënë pastaj mundësinë për të formuar qeverinë”, ka deklaruar ai.

Ai është shprehur i sigurt se, për formimin e qeverisë, LVV nuk do të varet nga vullneti i partive të tjera.

Megjithatë, Dugolli ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit ose presidentes, LVV do të synojë të krijojë “klimë bashkëpunimi” me opozitën për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.

“Jam shumë i sigurt se sa i përket formimit të qeverisë nuk do të kemi nevojë të presim ‘teket’ e partive të tjera. Megjithatë, bashkëpunimi do të jetë i domosdoshëm për të mos shkuar sërish në zgjedhje. Ne do ta ofrojmë këtë mundësi dhe do të synojmë të krijojmë shumicën e nevojshme kur të vijë radha për zgjedhjen e presidentit në mars apo prill, çka kërkon koordinim me partitë politike për ta zgjedhur presidentin apo presidenten dhe për të shmangur zgjedhjet e reja. Pas formimit të qeverisë, do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar një klimë të volitshme dhe bashkëpunuese me partitë që do të mbeten në opozitë, në mënyrë që të tejkalojmë atë situatë dhe ta zgjedhim presidentin pa rrezikuar zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar ai.

I pyetur se me cilat parti do të ishte më i lehtë bashkëpunimi, Dugolli u përgjigj se disa procese “janë përtej interesit partiak” dhe lidhen me interesat e shtetit.

“Janë disa pozicione dhe vendime, sidomos marrëveshjet ndërkombëtare, ku nuk bëhet fjalë vetëm për një parti apo për LVV-në, por për interesin e shtetit. Çdo qeveri ka nevojë për mbështetje të gjerë, sepse është e pamundur që një parti të ketë 80 deputetë”, ka nënvizuar Dugolli.

Dugolli ka theksuar se partitë duhet të jenë të vetëdijshme se për disa çështje nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë duke e lënë barrën vetëm tek shumica.

“Janë disa situata për të cilat partitë duhet të jenë të vetëdijshme se nuk mund të shfajësohen dhe as të zhveshen nga përgjegjësia duke thënë: ‘Është puna juaj t’i bëni 80 deputetë’,” ka përfunduar Dugolli.