Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka deklaruar Arrita Rezniqi, hulumtuesja e lartë ligjore e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) duke theksuar se pa një drejtësi funksionale nuk mund të ketë shtet të qëndrueshëm.
Ajo theksoi se ndikimi i korrupsionit mund të cenojë edhe vetë funksionimin e drejtësisë, duke e shndërruar atë nga një instrument i drejtësisë në burim të padrejtësisë.
“Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kur ky sistem funksionon siç duhet, ai krijon mekanizmat e nevojshëm për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre fenomeneve. Megjithatë, ndikimi i korrupsionit mund të cenojë edhe vetë funksionimin e drejtësisë, duke e shndërruar atë nga një instrument i drejtësisë në burim të padrejtësisë”, tha ajo.
Duke folur për pasojat afatgjata, Rezniqi paralajmëroi se korrupsioni po krijon një realitet të zymtë për gjeneratat e reja, të cilat, të zhgënjyera nga mungesa e mundësive, po largohen nga vendi.
Këto pasoja, çojnë në një përfundim të hidhur, dobësimin e perspektivës së shtetit dhe humbjen e shpresës, theksoi Rezniqi
“Të gjitha këto pasoja, të marra së bashku, çojnë në një përfundim të hidhur, dobësimin e perspektivës së shtetit dhe humbjen e shpresës, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët përballë mungesës së mundësive për zhvillim, punësim e jetë dinjitoze, zgjedhin largimin nga vendi. Kjo gjeneron migrim të vazhdueshëm dhe zbrazje të kapitalit njerëzor në të gjitha kategoritë shoqërore”, tha ajo.
Rezniqi shtoi se korrupsioni nuk është një koncept abstrakt, por një fenomen që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë probleme abstrakte. Ato prekin familjet tona, shëndetin tonë, të ardhmen e brezave të rinj, të drejtën tonë për shërbime të ndershme dhe për një shtet funksional. Dhe për t’i luftuar, së pari duhet t’i kuptojmë dhe t’i shohim pasojat e tyre në realitetin e përditshëm”, tha ajo.
Rezniqi shtoi se njëkohësisht ky aktivitet shënon edhe përmbylljen e Javës Kundër Korrupsionit 2025, e cila nisi më 8 dhjetor me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.

