Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vihen në funksion nga KQZ-ja 23 kuti postare në shtete të ndryshme

 
   

Me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në funksion kutitë postare në 23 shtete të ndryshme. Gjatë ditës së sotme, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se nga Aeroporti i Shkupit, pako me fletëvotime janë përcjellë drejt kontinentit të Australisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtete të tjera evropiane.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka miratuar afatet për përgatitje, nisje dhe dërgesë të fletëvotimeve për votuesit e regjistruar përmes postës, të cilat janë pjesë përbërëse  e kontratës së arritur me operatorin ekonomik.

“Sipas planifikimeve, arritja e fletëvotimeve për votuesit në Evropë planifikohet të bëhet nga data 16 deri më 18 dhjetor, ndërkaq për votuesit që ndodhen jashtë shteteve të Evropës, nga data 17-19 dhjetor. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryej tek adresa e votuesit dhe ky zarf apo pako mund të pranohet vetëm nga votuesit e regjistruar ose familjarë të tyre të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës“, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe dje ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votues të regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Tashmë është bërë e ditur se fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në vendin tonë  të premten më 12 dhjetor, dhe pas kësaj, shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar.

Shuma e planifikuar për këtë operacion zgjedhor është rreth 1.7 milion euro, ndërkaq numri i përgjithshëm i votuesve të cilët njëkohësisht dhe janë regjistruar për të votuar përmes postës është rreth 58 mijë. Do të thotë shërbimet postare në këtë rast përfshijnë dërgimin e pakove me fletëvotime tek të gjithë votuesit e regjistruar si dhe pastaj procesin e tërheqjes së tyre dhe sjelljen në Kosovë për tu numëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”, tha Elezi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  në çdo dërgesë postare është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund ta shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor, datë kjo kur votohet fizikisht në misione diplomatike.  KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.