Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përurohen Akseleratori i ri dhe Bunkeri në Klinikën e Onkologjisë, investim prej 2.7 milionë euro

 
   

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, bënë përurimin e Akseleratorit të ri dhe Bunkerit në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, investim në vlerë të gjithmbarshme prej 2.7 milionë euro.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ky është një lajm i gëzueshëm për shërimin e pacientëve dhe për kushte shumë më të mira të punës me pajisjet më moderne të teknologjisë së fundit për mjekët, që me punën e tyre të palodhshme, i trajtojnë me kaq shumë profesionalizëm qytetarët e Republikës tonë dhe jo vetëm, që kanë këtë sëmundje.

Ai tha se gjatë këtij mandati kjo klinikë është transformuar rrënjësisht, duke përmirësuar jashtëzakonisht edhe trajtimin e pacientëve, por gjithashtu edhe kushtet për mjekët specialistë, infermierët dhe stafin në përgjithësi.

“Klinika e Onkologjisë është klinikë shembull në Republikën e Kosovës, por madje edhe në rajonin e Ballkanit. Me këtë rast duhet përmendur, që fillimisht është rritur numri i shtretërve. Kanë qenë vetëm 45 shtretër, tash janë 110 shtretër. Pra, kemi më shumë se dyfishim të numrit të shtretërve. Por arsyeja pse ndodhemi sot këtu, është investimi në këtë bunker me hapësirat përcjellëse, në vlerë të gjithmbarshme prej 2.7 milionë euro, përfundimi i të cilit është bërë në një kohë rekord, për vetëm 5 muaj”, tha kryeministri Kurti.

Akseleratori është në vlerë të gjithmbarshme prej afër 1.6 milionë euro dhe gjithashtu është i pajisur edhe me sistemin e avancuar SIRAD, që mundëson saktësi maksimale për rrezatim, pra e godet tumorin pa i dëmtuar indet rrotull.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se brenda një periudhe të shkurtër po montojmë akseleratorin e tretë në këtë klinikë, i cili do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve për trajtimin e tyre me Rreze X dhe në anën tjetër nuk do të ketë fare më lista të pritjes. “Unë nuk mund të paramendoj një dhuratë më të mirë edhe për Ministrinë edhe për stafin, e sidomos për pacientët që kanë pritur më herët, sesa një e akselerator të tillë për Vitin e Ri”, tha ministri Vitia, duke shtuar se do të vazhdojnë investimet në të gjitha klinikat, në mënyrë që qytetarët tanë të marrin të gjitha shërbimet pa pasur nevojë që ato t’i kërkojnë jashtë institucioneve publike.

Ndërkaq, Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurteshi falënderoi kryeministrin Kurti, ministrin Vitia dhe Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi për investime madhore në këto pesë vitet e fundit në klinikën që ai drejton. Si rezultat ato e kanë vënë Klinikën e Onkologjisë në një pozitë shumë të mirë në kuptimin e shërbimeve cilësore dhe trajtimit të pacienteve me sëmundje malinje.

Ky projekt i përuruar sot përfshin akseleratorin e ri në vlerë prej afër 1.6 milionë euro; bunkerin, me sipërfaqe rreth 500 m², sipas kushteve dhe standardeve ndërkombëtare për siguri radiologjike dhe të gjitha punimet përgatitore në kantier, në vlerë 700 mijë euro; dy sistemet për planifikimin e trajtimit në vlerë 200 mijë euro; një sistem për imobilizimin e pacientëve në vlerë 50 mijë euro; një sistem të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike (UPS) në vlerë 20 mijë euro, si dhe një sistem dozometrik për matjen dhe kontrollin e saktë të dozës së rrezatimit, në vlerë 180 mijë euro.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Sot jemi në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në një klinikë, e cila gjatë këtij mandati ka përjetuar një transformim rrënjësor, duke përmirësuar jashtëzakonisht edhe trajtimin e pacientëve, por gjithashtu edhe kushtet për mjekët specialistë, infermierët dhe stafin në përgjithësi.

Klinika e Onkologjisë është klinikë shembull në Republikën e Kosovës, por madje edhe në rajonin e Ballkanit. Me këtë rast duhet përmendur, që fillimisht është rritur numri i shtretërve. Kanë qenë vetëm 45 shtretër, tash janë 110 shtretër. Pra, kemi më shumë se dyfishim të numrit të shtretërve, por arsyeja pse ndodhemi sot këtu, është investimi në këtë bunker me hapësirat përcjellëse, në vlerë të gjithmbarshme prej 2.7 milionë euro, përfundimi i të cilit është bërë në një kohë rekord, për vetëm 5 muaj. Shtetet e tjera shumë më të zhvilluara se Kosova, edhe në Evropë, kanë marrë kohë deri në 12 muaj për realizimin e kësaj që është bërë në Kosovë për vetëm 5 muaj.

Akseleratori është në vlerë të gjithmbarshme prej afër 1.6 milionë euro dhe gjithashtu është i pajisur edhe me sistemin e avancuar SIRAD, siç mësova nga mjekët këtu, që mundëson saktësi maksimale për rrezatim, pra e godet tumorin pa i dëmtuar indet rrotull.

Duhet theksuar që edhe pjesë e rëndësishme e investimit tonë të përbashkët në këtë klinikë, është edhe buxheti për listën e barërave esenciale për pacientët me sëmundje malinje, i cili para 6 viteve, pra me vitin e parë parapandemik, me të cilin i bëjmë krahasimet, në vitin 2019 ka qenë rreth 8 milionë euro, e tash kemi edhe këtu më shumë se dyfishim, sepse është gjithsej 19 milionë euro.

Unë falënderoj me këtë rast ministrin e Shëndetësisë, drejtorin e ShSKUK-së, drejtorin e Klinikës së Onkologjisë dhe të gjithë operatorët ekonomikë, mjekët specialistë dhe stafin administrativ e infermierët për këtë bashkëpunim të shkëlqyer deri tre kjo ditë, e cila edhe më shumë do ta zvogëlojë listën e pritjes, por është edhe lajm i gëzueshëm për shërimin e pacientëve dhe për kushte shumë më të mira të punës me pajisjet më moderne të teknologjisë së fundit për mjekët, që me punën e tyre të palodhshme, i trajtojnë me kaq shumë profesionalizëm dhe qytetarët e Republikës tonë dhe jo vetëm, që kanë këtë sëmundje.

Edhe njëherë, urime e gëzuar të gjithëve për këtë të arritur të jashtëzakonshme.