Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për gazetarët pas tensioneve të krijuara në sallën e Kuvendit nga deputetët e opozitës.
Ai ironizoi Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke thënë se “sa herë Kosova ka një festë, Saliu bën një dëm në Shqipëri”.
Balla akuzoi opozitën se kishte tentuar të pengonte betimin e Avokatit të Popullit, edhe pse vetë e kishte propozuar.
“Populli ka një shprehje të bukur që thotë: ‘qenë le të lehin dhe karvani të ecë përpara’. Karvani i Shqipërisë Europiane po ecën përpara”, tha ai.
Sakaq, kreu i grupit të PS përshëndeti vendimin e djeshëm të Bashkimit Evropian për të ecur me një pjesë të masave të sanksioneve ndaj Kosovës, duke e cilësuar si një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët.
“Dua ta përgëzoj vendimin e djeshëm të BE për të ecur një pjesë të masave të sanksioneve ndaj Kosovës dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ju e dini, se sa herë që ka një lajm të mirë Kosova, ka një festë, Saliu që nga ’91 bën një dëm në Shqipëri.”, shtoi Balla.
Në këtë kontekst, ai shtoi se “Unë gëzohem sa herë SPAK organizon operacione. Edhe kur kam qenë ministër i Brendshëm, ministër Shteti dhe kryetar grupi.
Ndaj sot mezi prisja që të kisha një debat për luftën kundër kriminalitetit. Ishte opozita që e kërkoi, ne e miratuam me konsensus, por e vërteta është se të gjithë e dimë fare mirë që SPAK e mbështet vetëm PS-ja”, tha ai.
I pyetur për rastin “Balluku”, Balla u shpreh se, “Kuvendi i Shqipërisë e ka të përcaktuar qartë procedurën që do të ndjekë.
“Me gjithë klithmat dhe ulërimat e Gazment Bardhit, Kuvendi i Shqipërisë, sikurse e përcakton procedura, nesër fillon procedurën. Ky është një rast ku Kuvendi duhet ta kryejë procedurën sipas Kushtetutës dhe rregullave të përcaktuara. Do të kemi komunikimin pas kësaj çështjeje, pasi të nis procedura”./rtsh.al/

