Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nga bankat e shkollës në burg, rrëfimi i Jakup Nurës për vitet e represionit

 
   

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka ndarë për KosovaPress përvojën e tij personale të përndjekjes gjatë rinisë, duke kujtuar periudhën kur, ende nxënës i shkollës së mesme dhe pa i mbushur 18 vjet, kishte rënë në duart e policisë së regjimit serb.

Në një intervistë për kp, Nura thekson se ishte ndaluar dhe ndëshkuar për shkak të posedimit të kasetave me këngë patriotike, çka sipas tij kishte sjellë pasoja të rënda në jetën e tij arsimore dhe familjare. Ai theksoi se si pasojë e këtij ndalimi, i ishte ndërprerë shkollimi i mesëm dhe ishte dënuar me burgim, duke humbur një vit të tërë shkollor.

Nura: Po unë si i ri, ende në shkollën e mesme, rashë në duart e policisë

“Po unë si i ri, ende në shkollën e mesme, rashë në duart e policisë për shkak të disa kasetave, kasetave të këngëve (patriotike). E ato, ato na, do të thotë, i gjurmuan policia dhe më morën një, ma ndërprenë shkollën e mesme, ma ndërprenë, ma dhanë një kohë të burgimit, kështu që më humbi një, vit dhe si i ri, është, është dëshpëruese të largohet njeriu nga shkolla, se nuk e din se ç’e pret e nesërmja. E ne, si, po sfidat kanë qenë vërtetë të rënda, vërtetë, të dhimbshme për mua dhe për familjen time, pasi që e gjithë familja ime, burrat dhe djemtë në vitet ’93, i mori pushtuesi dhe i futi në burg. Kështu që mbetën vetëm familja edhe unë i cili nuk kisha qëlluar në atë mbrëmje ose në atë natë në shtëpi”, theksoi Nura.

Po ashtu Nura, rikujtoi momentin e ndalimit para moshës madhore, duke e cilësuar atë si një përvojë që nuk harrohet kurrë. Sipas Nurës, interesimi dhe presioni nga policia dhe forcat e sigurisë serbe kishte qenë i vazhdueshëm, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe thyerjen morale të të rinj.

Nura: Kam qenë ende pa i bë 18 vjet, është një kohë që njeriu nuk e harron

Kam qenë ende pa i bë 18 vjet. Ajo është një kohë që njeriu nuk e harron. Si i ri është një, një diçka që, po të them, është një ndjenjë e veçantë dhe një ndjenjë që nuk përshkruhet dot. Ka qenë kohë e rëndë sigurisht? Po, interesimi i tyre çdo herë, kur te policia dhe forcat e sigurisë të Serbisë, kanë pasur interesim vazhdimisht që edhe shtytësit kush të shtini, kush e bëni, kush të të mohojë“, theksoi ai.

Arrestimet, ndërprerja e dhunshme e arsimit dhe burgosjet politike të të rinjve për veprimtari kulturore apo patriotike ishin praktika të shpeshta të aparatit shtetëror serb, të cilat synonin frikësimin dhe shuarjen e rezistencës shoqërore.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Jakup Nura ka numrin 11 në listën e PDK-së.