Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla: Lupçi, simbol i rrënjëve dhe i transformimit të Kosovës

 
   

Bashkëkryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Lupçit të Poshtëm, fshatit të lindjes së babait të saj, Jusuf Gërvalla. Gjatë këtij takimi, ajo ka ndarë me të pranishmit edhe fjalë të babait të saj, duke i cilësuar ato si një vizion që sot merr kuptim të veçantë.

“‘Ka me u ba mirë kur bahen bashkë Gërvallajt e Dubovikut dhe të Lupçit’, nuk ishin vetëm fjalë shprese familjare në gojën e babës Jusuf, por një vizion politik i ndërtuar mbi besë, kujtesë dhe përgjegjësi kombëtare. Ato fjalë sot marrin një kuptim të veçantë, në një kohë kur historia, familja dhe politika takohen sërish në Lupç të Poshtëm”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook.

Ajo ka theksuar se vizita në Lupç nuk është asnjëherë një vizitë e zakonshme protokollare, por një rikthim simbolik në rrënjë. Sipas saj, në odat ku dikur Jusuf Gërvalla, së bashku me Zeqir Gërvallën, Idrizin, Hamdiun dhe Ruzhdiun, këndonin deri në agim dhe debatonin me pasion për Kosovën e viteve ’70 dhe ’80, sot janë ringjallur kujtime dhe një frymë që nuk është shuar kurrë.

“Ishte ajo Kosovë e mendimit politik të lirë, e rezistencës pa zhurmë, por me bindje të thellë. Gërvallajt e Lupçit na pritën vëllazërisht, jo vetëm si kushërirë, por si përfaqësuese të një vazhdimësie politike që buron nga sakrifica, idealizmi dhe përkushtimi për shtetin”, ka shtuar ajo.

Gërvalla ka përmendur gjithashtu se tregimet për rrugicat ku dikur ecte si fëmijë, dorë për dore me babanë e saj, u ndërthurën me realitetin e sotëm – një Lupç i Poshtëm me infrastrukturë të re, i shndërruar në paralagje të Prishtinës, falë investimeve publike dhe qeverisjes aktuale.

Sipas saj, ky transformim fizik i fshatit është metaforë e një ndryshimi më të gjerë shoqëror dhe politik. “Nga odat ku flitej për lirinë, tek institucionet ku sot merren vendime shtetërore, rruga është e gjatë, por lidhja nuk është këputur. Politika nuk është vetëm pushtet, por edhe kujtesë; jo vetëm program, por edhe rrëfim; jo vetëm e tashme, por edhe borxh ndaj atyre që ëndërruan Kosovën e lirë në kohë shumë më të vështira”, ka shkruar Gërvalla, subjekti politik i të cilës garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në fund, ajo ka theksuar se vizita në Lupç të Poshtëm dëshmon pse disa emra në politikën kosovare nuk janë rastësi, por vazhdimësi, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Gërvallët e Lupçit nuk lëshojnë pe!”.