Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Bumerangu po kthehet” Geci paralajmëron fundin e një politike 20-vjeçare

 
   

Veprimtari Halil Geci ka reaguar me një gjuhë të ashpër politike, duke e cilësuar procesin zgjedhor të 28 dhjetorit si fillimin e një “ndëshkimi historik” për, siç thotë ai, dy dekada tradhti, vjedhjeje dhe dhune të ushtruara në emër të luftës, UÇK-së dhe një të djathtizmi të rremë.

Sipas Gecit, ka ardhur momenti që gabimet, pazaret politike dhe kompromiset e dëmshme të kthehen në një bumerang elektoral. Ky bumerang, thekson ai, ka një adresë të qartë: votën e qytetarëve. Në interpretimin e tij, zgjedhjet nuk janë thjesht një garë politike, por një akt ndëshkimi për ata që, sipas tij, e përdhosën shtetin dhe e mbajtën Kosovën peng për më shumë se 20 vjet.

Geci nuk kursen as akuzat për bllokimin e institucioneve dhe proceseve shtetërore. Ai në një postimi në Facebook përmend pengimin e investimeve ndërkombëtare, bllokimin e buxheteve, të RTK-së dhe refuzimin e ndihmave financiare, duke i cilësuar këto veprime si dëmtime të qëllimshme të shtetit për interesa personale dhe klanore.

Sipas tij, ndëshkimi nuk po vjen vetëm nga vota e brendshme. Ai thekson se edhe realiteti ndërkombëtar po ndryshon në favor të Kosovës, duke përmendur përfshirjen nën ombrellën e sigurisë amerikane dhe heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian si sinjale politike se problemi real nuk ishte aty ku pretendohej prej kundërshtarëve politikë.

Postim i plotë:

BOOMERANGU I 20 VITEVE TRADHTI, VJEDHJE DHE DHUNE PO KTHEHET ME VOTË

Zgjedhjet e 28 dhjetorit shënojnë fillimin e ndëshkimit politik për ata që e përdhosën shtetin në emër të UÇK-së së keqpërdorur dhe një të djathtizmi të rremë.

Ka ardhur koha. Koha që gjithçka çfarë u bë keq për më shumë se 20 vjet , dhunimet, vjedhjet, pazaret dhe tradhtitë e kryera në emër të luftës, në emër të UÇK-së dhe në emër të një të djathtizmi të rremë ,të kthehen në bumerang politik. Dhe ky bumerang ka një adresë të qartë: votën e 28 dhjetorit.

Ka hyrë faza e ndëshkimit të rëndë elektoral për ata që e jetësuan ëndrrën e Rankoviqit: që veriu, Trepça dhe Ujmani të mbeten nën hijen e Serbisë. Për ata që sot i mbështesin këto projekte dhe e quajnë veten “djathtistë”, ndërsa e shajnë Hashim Thaçin në fjalë, por e mbështesin tradhtinë e tij në vepra.

Ka ardhur koha të ndëshkohen me votë ata që e votuan dhe e ndërtuan “Zajednicën” me kompetenca ekzekutive, pra një Republika Srpska të veriut. Të ndëshkohen ata që i shpallën 40 kisha eksterterritoriale, duke i regjistruar si “serbe” me tapi, ndonëse kurrë nuk kanë qenë të tilla.

Ka ardhur koha të ndëshkohen ata që e barazonin Albin Kurtin me Millosheviçin, duke trilluar se po “dhunonte pakicën serbe” njësoj siç Millosheviçi dikur dhunonte shqiptarët. Ata që thoshin se Kurti “i ka çuar armët në veri” dhe u ka thënë të tjerëve “shkoni e merrni”.

Po vjen ndëshkimi për ata që deklaronin publikisht: “Ne nuk e kemi problem Listën Serbe, problem e kemi Albin Kurtin.” Për ata që e shpallnin Kurti-n “anti-amerikan”, ndërsa sot historia po i zhvesh nga çdo maskë.

Po vjen ndëshkimi për ata që bllokuan investime milionëshe ndërkombëtare, për partitë e vogla që me nga tre deputetë tentonin të merrnin gjysmën e dikastereve të Qeverisë Kurti. Për ata që e bllokuan shtetin duke mos lejuar që 50% e votës shqiptare ta ndërtonte qeverinë.

Ka ardhur koha e ndëshkimit për ata që bllokuan buxhetet e komunave, buxhetin e RTK-së dhe refuzuan të votojnë miliona euro ndihma ndërkombëtare. Për ata që dëmtuan Kosovën qëllimisht, për interesa personale e klanore.

Dhe ndëshkimi nuk po vjen vetëm nga vota. Ai po vjen edhe nga realiteti ndërkombëtar. Në kohë fushate, Kosova u fut nën ombrellën e sigurisë amerikane, me njohjen e qartë të sovranitetit të saj cep më cep. Po ashtu, Bashkimi Evropian, në prag zgjedhjesh, hoqi sanksionet ndaj Kosovës ,një mesazh politik i qartë se kush ishte problemi real.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht një proces elektoral. Ato janë referendum ndëshkimi. Një votë kundër tradhtisë, kundër hipokrizisë patriotike dhe kundër politikës që për dy dekada e mbajti Kosovën peng.

Opozita që me qëllime të këqija e dëmtoi shtetin për interesa personale, tashmë po përballet me faturën politike. Dhe kjo faturë do të jetë e dhimbshme.