Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur shqiptar, Shemsi Krasniqit – Shemit, duke e cilësuar humbjen e tij si një lajm të trishtë për kulturën dhe artin shqiptar.
Në reagimin e tij, Çeku theksoi se si vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, Shemi u shndërrua në një zë të rëndësishëm të identitetit muzikor shqiptar dhe në një figurë të pandashme të kujtesës kolektive.
Ai nënvizoi se artisti la pas një krijimtari të pasur dhe një trashëgimi që do të jetojë gjatë në kulturën tonë.
Ministri veçoi këngën ikonike “Xhamadani vija-vija”, duke theksuar se nën interpretimin e Shemit ajo u kthye në një hit të gjithë shqiptarëve dhe mbetet edhe sot simbol i bashkimit dhe identitetit kombëtar.
“Shemi ishte një personalitet i veçantë i kulturës dhe një artist shumë i dashur për publikun”, u shpreh Çeku.
Në fund të reagimit, ministri në detyrë i Kulturës shprehu ngushëllimet për familjen e Krasniqit, për komunitetin artistik dhe për të gjithë ata që e deshën dhe e vlerësuan artin e tij, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Shemit”.

