1
Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një “dhuratë” për ushtrinë për Vitin e Ri, që, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.
Moneytizer Paragrafi 2
Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye.
“E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse. Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër. Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai, shkruan A2 Cnn, transmeton Klankosova.tv.
Moneytizer Paragrafi 4
Ministri Vengu nuk bëri të ditur sasinë e raketahedhësve që ka marrë Shqipëria, por tha se gjatë vitit 2026 është parashikuar edhe një tjetër dërgesë.

