E enjtja e 5 dhjetorit 2024 solli seancën e fundit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, kjo legjislaturë u shpërnda dhe 18 ligjet e miratuara të asaj dite mbeten të fundit edhe tani kur po mbyllet viti 2025, shkruan REL.
Kjo, pasi që deputetët e dalë nga zgjedhjet e shkurtit nuk arritën as ta konstituojnë Kuvendin deri në gjysmë të tetorit.
Përveç 60 takimeve në sallën e Kuvendit të Kosovës për konstituim, këta deputetë u mblodhën vetëm edhe tri herë.
Dy herë – më 26 tetor dhe 19 nëntor – për të votuar propozimet e mandatarëve për kryeministër; dhe një herë, më 19 nëntor, për një seancë të jashtëzakonshme për buxhet.
Dhe kështu, për një vit, asnjë ligj nuk u miratua, ashtu siç edhe do të pritej nga një qeveri në detyrë dhe një kuvend jofunksional.
Por, rrethanat e 2025-tës nuk ishin “normale”, thotë Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
“Do të duhej të trajtoheshin me urgjencë disa çështje jetike për funksionimin e shtetit”, thotë Jakaj për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore për vitin 2026, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe buxhetin për katër komunat në veri të vendit.
Si një ndër “dështimet më serioze”, ai e cilëson moszbatimin e një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese për pagat në sektorin publik, që ua mundësonte punonjësve, të cilëve u ishte ulur paga nga ligji i ri, të vazhdojnë të marrin shtesa transitore derisa pagat e reja të barazohen me të vjetrat.
“Kjo tregon se problem nuk ka qenë vetëm mungesa e institucioneve funksionale, por edhe mungesa e vullnetit për të respektuar rendin kushtetues dhe detyrimet ligjore”, thotë Jakaj.
Gjatë vitit 2025, Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mbajti gjithsej 39 mbledhje.
Çka bëri Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2025?
Nga 9 janari e deri më 19 dhjetor të këtij viti, Qeveria në detyrë e Kosovës i mbajti 39 mbledhje. Në to u morën vendime për emërime në poste të larta, shpronësime për projekte infrastrukturore, ndarje të mjeteve për bursat studentore, subvencione për familje në nevojë, mbështetje për projekte kulturore dhe sportive, si dhe masa të ndryshme buxhetore dhe financiare për institucione shtetërore.

