Analisti i sigurisë njëherësh kryetar i Bordit të Institutit “Octopus”, Agim Musliu, tha se në vend të njohjes Serbia po i keqpërdor këto të drejta për të mbajtur peng serbët e Kosovës dhe për ta sabotuar Kosovën nga brenda përmes Listës Serbe.
“Fakt i pakontestueshëm është se të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantuara dhe të zbatuara nga RKS, jo nga Serbia, cilat janë ndërtuar dhe ofruar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për serbet e Kosovës dhe jo për Serbinë!. Në kohën kur këto të drejta janë ofruar, Kosovës i është premtuar njohja edhe nga Serbia edhe nga të gjitha shtetet në BE dhe NATO. Sot në vend të njohjes Serbia po i keqpërdor këto të drejta për të mbajtur peng serbët e Kosovës dhe për ta sabotuar Kosovën nga brenda përmes Listës Serbe”, shkroi Musliu në Facebook’.
Sipas tij, Kosova nuk mund të lejojë që kjo gjendje të vazhdojë dhe s epartnerët e Kosovës duhet të reagojnë fuqishëm për ta parandaluar këtë veprim sabotues të Serbisë.
“Sulmi agresor dhe terrorist në Banjskë u udhëhoq nënkryetari formal dhe kryetari de fakto, edhe aktual, i Listës Serbe Millan Radoiçiq. Me pas u krye sulmi terrorist ndaj kanalit Ibër-Lepencit. Sot po kryhet një fazë e re e sulmit, e qe është sulm ndaj rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës nga brenda. Këto veprime të Serbisë janë alarm serioz për sigurinë rajonale. Kalimi i tyre pa sanksione të qarta dhe pasoja konkrete rrezikon që ta provokojë seriozisht sigurinë. Është koha për veprim në Bruksel dhe në Washington. Çdo vonesë rrit rrezikun, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin”, tha ai.

