Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Genc Prelvukaj, ka deklaruar se kjo parti nuk ka politika përjashtuese dhe se nuk vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik shqiptar.
Sipas Prelvukajt, PDK ka theksuar vazhdimisht se është e hapur për bashkëpunim politik, megjithëse ekzistojnë parapëlqime për koalicione të caktuara.
“Ne asnjëherë në politikat e PDK-së nuk ka zënë vend politika e përjashtimit. Kjo është bërë e qartë shumë herë që PDK-ja nuk ka vija të kuqe me asnjë formacion politik shqiptar. Mirëpo, gjithmonë parapëlqimet ekzistojnë, realisht ne më mirë përkojmë me një parti tjetër sesa me partinë në pushtet”, ka deklaruar ai në emisionin “Këndi i Debatit”..
Ai shtoi se PDK e sheh bashkëpunimin politik si proces të natyrshëm, veçanërisht me partitë opozitare, duke theksuar rëndësinë e kompromisit në politikë.
“Ne jemi bashkëpunues, i kemi parimet tona, jemi parti që e pëlqejmë kompromisin sidomos me partitë shqiptare, por sidomos me bllokun opozitarë meqenëse është një rrjedhëse e natyrshme e politikës që na bën më të mundur kooperimin me të para partisë në pushtet”, deklaroi ai.
Prelvukaj theksoi se PDK do të vazhdojë të mbajë një qasje bashkëpunuese, duke respektuar parimet dhe interesat politike të partisë, në funksion të stabilitetit institucional dhe qeverisjes së ardhshme.

