Në prag të festave të fundvitit, Policia e Kosovës ka dalë me një apel për qytetarët që të shmangin çdo formë dhune dhe të festojnë me përgjegjësi.
“Festo me zemër, jo me dhunë”, është mesazhi i Policisë, e cila thekson se dhuna, veçanërisht ajo në familje, nuk ka vend në asnjë festë.
“Festat duhet të jenë momente gëzimi, respekti dhe bashkimi familjar. Le ta përmbyllim këtë vit me mirëkuptim dhe ta nisim vitin e ri me dashuri, harmoni dhe pa dhunë”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Policia njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve që çdo rast dhune ta raportojnë menjëherë tek autoritetet kompetente, duke theksuar se raportet 24-orëshe ditore janë të mbushura me raste të shumta të dhunës.
Sipas Policisë, në Rahovec, mbrëmë rreth orës 22:00, është arrestuar një qytetar, i cili pas një mosmarrëveshjeje kishte ofenduar dhe tentuar ta sulmonte bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Partesh, po ashtu më 26 dhjetor 2025 rreth orës 22:00. Sipas Policisë, i dyshuari, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur dhe më pas ka tentuar ta sulmojë fizikisht me thikë bashkëshorten e tij. Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Lipjan, më 26 dhjetor 2025 rreth orës 20:47, në Qendrën për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitim të Viktimave, janë përleshur fizikisht dy të dyshuara femra. Të dyshuarat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti është dërguar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës rithekson angazhimin e saj për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës dhe fton qytetarët që festat t’i kalojnë në paqe, respekt dhe siguri.

